Të tjera lajme

Osmani: Takimet diplomatike nuk mund të barazohen me koalicionet politike

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, përmes një reagimi publik iu përgjigj akuzave të koalicionit VLEN, duke i cilësuar ato si përpjekje për t’i paraqitur takimet zyrtare diplomatike si orientime politike përcjell INA.

Sipas Osmanit, është joserioze që takimet e një ministri të Punëve të Jashtme të interpretohen si përcaktime politike, ndërkohë që, sipas tij, koalicionet me parti që mohojnë pavarësinë e Kosovës, gjenocidin në Srebrenicë dhe relativizojnë Marrëveshjen e Ohrit paraqiten si praktikë normale politike.

Ai theksoi se, sipas logjikës së VLEN-it, do të duhej të kritikoheshin edhe liderët botërorë që takohen me përfaqësues të shteteve me të cilat kanë mospajtime, duke shtuar se thelbi i diplomacisë është pikërisht zhvillimi i dialogut me ata me të cilët ekzistojnë dallime.

Osmani nënvizoi se takimet diplomatike janë detyrim kushtetues dhe ligjor i ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa koalicionet janë zgjedhje politike dhe, sipas tij, këto dy çështje nuk duhet të barazohen.

Në reagim thuhet gjithashtu se komunikata të cilës i referohet VLEN është një njoftim zyrtar i Kabinetit të Presidentit të Serbisë, i cili, sipas Osmanit, pasqyron qëndrimet e palës serbe dhe jo të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në fund, Osmani deklaroi se edhe sot do të takohej me çdo bashkëbisedues të huaj, pavarësisht dallimeve politike, pasi kjo është detyrë e shefit të diplomacisë. Megjithatë, ai theksoi se kurrë nuk do të zgjidhte të hynte në koalicion me subjekte politike që, sipas tij, mohojnë pavarësinë e Kosovës, relativizojnë gjenocidin në Srebrenicë ose cenojnë të drejtat e shqiptarëve.

Të fundit