Të tjera lajme

SHKËNDIJA NË EUROPË: NK BRAVO SFIDA E RADHËS

Shkëndija e Tetovës me fitore edhe në ndeshjen kthyese kundër ekipit Europa FC  të Gjibraltarit kalon në raundin e dytë të UEFA Konferencë Liga, ku do të përballet me ekipin NK Bravo të Sllovenisë. Skuadra tjetër Maqedonisë së Veriut, Sileksi u eliminua nga Dinamo Minsk, ndërsa në raundin e dytë të këtij kompeticioni vazhdon Vardari pasi që u eliminua nga Liga e Kampionëve.

Shkëndija ka siguruar kualifikimin për në raundin e dytë të UEFA Konferencë Liga  pasi edhe në ndeshjen e dytë që u zhvillua në Shkup mundi  ekipin Europa FC nga Gjibraltari 1-0  dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-0 nga dy ndeshjet,  në raundin e dytë do të përballet me ekipin slloven NK Bravo të Lubjanës.

Para fillimit  të ndeshjes së mbrëmshme me një ceremoni rasti  klubi i  futbollit  Shkëndija nderoi ish kapitenin Armend Alimin me një fanellë  me numrin 5 dhe me mbishkrimin Faleminderit.

Pas ndeshjes, trajneri Artim Pollozhani u prononcua rreth lojës dhe sfidës së radhës.

 “Kuptohet që ishte fitore minimale. Pritshmëritë ishin që të fitojmë me një rezultat tjetër më të thellë, por që për sa i përket qasjes, nuk mund të them që nuk kishte nivel. Ajo që më shqetësoi në këtë ndeshje ishin veprimet tona në sulm, ose veprimet sulmuese ishin jashtëzakonisht të ngathta. Që do të thotë, në momentin që ne kishim hapësira të nxirrnim lojtarë me topin e lirë, ato vertikalizimet që ne e kemi pasë ndeshjen e parë në Gjibraltar, në këtë ndeshje munguan. Kështu që, unë mendoj që duhet të punojmë tek ky aspekt sepse patjetër që na presin ndeshje të tjera më të rëndësishme, ndeshje që nuk do kemi shumë hapësira në një të tretën e sulmit. Gjatë kësaj jave duhet me patjetër që t’i evitojmë këto problematika që na ndodhën sepse do na duhen pastaj për vazhdimësi.” deklaroi  trajneri Artim Pollozhani

Skuadra kuqezi pas  kualifikimin në raundin e dytë  tanimë ka mësuar edhe kundërshtarin e radhës që është ekipi slloven NK Bravo, për të cilën trajneri  Pollozhani tha se e kanë ndjekur me vëmendje.

Normalisht që ne duke mos humbur vëmendjen tek ndeshja e kthimit, patjetër që kemi ndjekur edhe kundërshtarin e radhës. Bëhet fjalë për një kundërshtar që luan futboll fizik edhe luajnë gjatë gjithë kohës me tranzicione. Mendoj se niveli tani rritet te këto kundërshtarë edhe patjetër që duhet edhe ne të rrisim manovrën tonë që që të kemi rezultat pozitiv. Patjetër që bëhet fjalë për një ekip që vjet ka mbaruar në vend të tretë në kampionatin e Sllovenisë, një kampionat relativisht i mirë, i fortë, kështu që sa më shumë xhiro shkon në Kupat e Evropës, aq më e vështirë bëhet. Por, unë mendoj që ne kemi potencial që t’i përballojmë Bravos.” tha  trajneri Pollozhani

Klubi i  futbollit  Sileksi përkundër fitores  në ndeshjen e parë 1-0 në transfertë   kundër Dinamo Minsk, mbrëmë pas 120 minuta lojë në  një  ndeshje  të tensionuar  pësoi disfatë 0-1 dhe pas penaltive u eliminua  nga Dinamo Minsk.

Në raundin e dytë  të këtij kompeticioni të garave do të luajë e dhe  Vardari pasi që u eliminua  nga kampioni i Finlandës  KuPS .

Vardari  në  xhiron e dytë  do të përballet  me ekipin Riga  të Letonisë.

 Shaban Sinani – TV Koha

Të fundit