Të tjera lajme

TETOVË: ERA E FUQISHME SHKAKTOI DËME TË VOGLA – EKIPET NË TERREN!

Pullaze të rrënuara nga ndërtesa, pemë të rrëzuara por edhe dëme tjera materiale la pas vetes stuhia e djeshme me erë të fuqishme në Tetovë.

Për shkak të motit të lig dhe erës së fuqishme disa fshatra dhe rajone të Tetovës mbrëmë pas orës 17.00 deri në orët e vona të pas mesnatës nuk kanë patur rrymë elektrike mbase për shkak të defekteve të largpërçuesit të shkaktuar nga era e fuqishme. Bëhet fjalë për rajonin e Komunës së Bogovinës.

Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se pas motit të lig, të përcjellë me erë të fuqishme dhe reshje shiu që përfshiu territorin e vendit, në shumë rajone ishin regjistruar dëme materiale dhe ndërprerje të rrymës elektrike.

Sipas QMK-së, në Rajonin e Pollogut dhe territorin e Tetovës nuk ka të regjistruar raste më të rënda që kishin kërkuar intervenime urgjente. Janë evidentuar dëme të vogla, kurse shërbimet kompetente janë në terren. Situata është stabile dhe nën kontroll – thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Në terren kanë dalë edhe ekipet e NPK – Tetova.

Sipas tyre, pas erës së fuqishme që përfshiu qytetin, së bashku me stafin e NPK “Tetova” është reaguar menjëherë, duke dalë në terren për largimin e drunjve dhe degëve të rrëzuara, pastrimin e mbeturinave dhe eliminimin e pengesave të krijuara, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit për qytetarët, ka njoftuar Drejtori I NPK – Tetova, Samet Bislimi përmes rrjeteve sociale.

Ndërkohë, metereologët kanë dalë me shpjegim profesional për shkaqet që çuan në motin e lig, që dje goditi disa rajone të tjera të vendit.

Sipas analizave shkaku kryesor i stuhisë ishte depërtimi i menjëhershëm i një fronti të ftohtë atmosferik nga veriu në shtresat e larta të atmosferës.

Ky front i ftohtë u përplas drejtpërdrejt me masën shumë më të ngrohtë të ajrit që vinte nga jugu dhe që paraprakisht ishte vendosur mbi Maqedoninë e Veriut.

Metereologët thonë se atmosfera ishte ngrohur ndjeshëm dhe ishte mbushur me energji për shkak të temperaturave të larta të regjistruara gjatë ditëve të fundit.

Përplasja e këtyre masave ajrore shkaktoi formimin e reve të fuqishme me bubullima, të cilat sollën erëra të forta, reshje të rrëmbyeshme shiu dhe dëme të konsiderueshme materiale, veçanërisht në zonën e Shkupit.

Përkeqësimi i menjëhershëm I motit, sipas metereologëve, po dëshmon se atmosfera mbi Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë Ballkanin po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme nga pikëpamja meteorologjike.

Pikërisht për këtë arsye, ata bëjnë thirrje, që në të ardhmen autoritetet dhe qytetarët të përgatiten me kohë për fatkeqësi të tilla natyrore, të cilat, sic thonë, për fat të keq, do të bëhen gjithnjë e më të fuqishme dhe më të shpeshta./Tv Koha/

Të fundit