Në dy javët e ardhshme partitë politike pritet t’i përfundojnë analizat, negociatat dhe matjet e kandidatëve dhe të shpallin emrat e kandidatëve për president të vendit për , zgjedhjet që janë caktuar më 24 prill. Krerët e partive politike ditët e fundit vetëm bëjnë me dije se “rrethi po ngushtohet”, por nuk bëjnë të ditur publikisht se cilët kandidatë janë në rrethin më të ngushtë. Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski dje pasdite shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar më 24 prill, ndërsa raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) nga sot duhet të konfirmojë afatet zyrtare ligjore që do t’i paraprijnë përgatitjes për zgjedhjet.
Kandidate për presidente, profesoresha Biljana Vankovska, deri më tani ka promovuar vetëm partia “Levica”. Ndërsa mjeku Velo Markovski si kandidat i pavarur do të mbledhë nënshkrime për të “testuar” forcat e tij në garën presidenciale. Kreu aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, theksoi se për rreth pesë deri në dhjetë ditë do të marrë vendim nëse do të kandidojë për një mandat të dytë.

LSDM-ja tashmë ka paralajmëruar se deri në fund të muajit do t’i përfundojnë procedurat për përzgjedhjen e kandidatit për president, ndërsa jozyrtarisht thuhet se partia po mat rejtingun mes presidentit aktual Stevo Pendarovski, ish-ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe sekretarit të partisë Mile Zeçeviq. Kandidati i tyre pritet të jetë konsensual dhe të marrë mbështetjen e partive të tjera në pushtet.
Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, i cili është edhe nënkryetar i LSDM-së, javën e kaluar zbuloi se ka ambicie të bëhet president. Bytyqi tha në një intervistë televizive se ai mund të jetë kandidati me konsensus. Ai thekson se një numër i konsiderueshëm i degëve partiake e kanë propozuar për kandidat për president.
VMRO-DPMNE do ta konfirmojë emrin e kandidatit të saj në konventën e partisë më 2 mars. Thirrja publike për kandidatë është e hapur deri më 21 shkurt. Profesorët Gordana Siljanovska Davkova dhe Aleksandar Spasenovski përmenden në opinion si kandidatët më seriozë nga VMRO-DPMNE për kryetar të shtetit.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ende nuk ka bërë të ditur nëse do të dalin me kandidatin e tyre për president apo nëse do të mbështesin kandidatin që do të dilte nga koalicioni qeveritar. Në media po spekulohet se BDI-ja do të dalë me kandidat për president. Në opinion bëhet me dije se kandidati për president i BDI-së do të jetë ministri aktual i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i partisë Bujar Osmani. Mirëpo, partia as nuk e mohon dhe as nuk e konfirmon nëse ai do të hyjë në garën presidenciale.
Procedura për zgjedhjen e presidentit të shtetit
Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për një periudhë 5-vjeçare. I njëjti person mund të zgjidhet President i Republikës maksimumi dy herë. Një kandidat për President të Republikës mund të propozohet nga të paktën 10.000 zgjedhës apo votues ose të paktën 30 deputetë. Kryetar i shtetit zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve të regjistruar në Listën Zgjedhore. Nëse në raundin e parë asnjë nga kandidatët për President nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, në raundin e dytë votohet për dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Raundi i dytë i votimit zhvillohet brenda 14 ditëve nga përfundimi i raundit të parë të votimit.
President zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga zgjedhësit që kanë votuar, nëse kanë votuar më shumë se 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar në Listën Zgjedhore. (Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë fq. 35).
Nëse në raundin e dytë të votimit asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e gjithë procedura e zgjedhjes. Nëse për President të Republikës propozohet një kandidat, i cili në raundin e parë të votimit nuk ka marrë shumicën e kërkuar të votave, përsëritet e gjithë procedura e zgjedhjes.
Zgjedhjet për kreun e shtetit janë të parat në 60 ditët e fundit të mandatit të presidentit të mëparshëm. Në rast të përfundimit të mandatit të Presidentit të Republikës për çfarëdo arsye, zgjedhja e Presidentit të ri bëhet brenda 40 ditëve nga dita e përfundimit të mandatit. Përpara marrjes së detyrës, Presidenti i Republikës bën një deklaratë solemne para Kuvendit, me të cilën merr përsipër të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.







