Inspektorati Shtetëror i Arsimit paralajmëron masë disiplinore ndaj arsimtarit qw
organizoi shfaqjen me rastin e 28 nëntorit në Shkollën Fillore “7 Marsi” në Çellopek.
“Ju njoftojmë se Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk do të shqiptojë dënim për
mësimdhënësin, por me Aktvendim me urdhër do ta udhëzojë shkollën që të fillojë
procedurë disiplinore ndaj mësimdhënësit që ka kryer aktivitete që nuk janë
planifikuar në programin vjetor të punës së shkollës si dhe në planin e aktiviteteve
jashtëshkollore të mësimdhënësit”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
Nga ana tjetwr Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se përgjegjësi do të bart
mësimdhënësi që ka organizuar këtë aktivitet pasi paraprakisht të vihen në dijeni
drejtuesit e shkollës dhe ato të Komunës.
“Raporti për mbikëqyrjen në Çollopek është kryer. Inspektorët kanë konstatuar
parregullsi, për çka përgjegjësi do të mbajë njëra nga mësueset që ka qenë
organizuese e manifestimit, për këtë do të informohen edhe drejtori edhe kryetari i
Komunës që të veprojnë sipas ligjit, por ajo që sipas meje është më e rëndësishme
është se në këtë shkollë, por edhe në disa të tjera ku kemi pasur raportime për
parregullsi, ku sinqerisht nuk janë konstatuar parregullsi, por ka pasur një lloj
revolte, ne do të zhvillojmë trajnime për bashkëjetesën, multikulturalizmin,
multietnicitetin dhe për këtë do të kërkojmë mbështetje edhe nga OSBE-ja”, tha
Janveska.
Edhe pse në paraqitjen e parë para mediave, drejtori i Shkollës Jasin Rekae mori përsipër
organizimin e manifestimit, pas vizitës së inspektorëve ai ndryshoi qëndrimin, dhe në
deklaratën e tij dhënë inspektorëve të arsimit, është distancuar nga ky manifestim me
pretekstin se ai nuk ka ditur asgjë për pikën që përgatitej nga arsimtari. Reka sot përmes
një sms porosie tha se ky manifestim as që ka qenë pjesë e programit vjetor të Shkollës.
“Është shfaqje fëmijësh dhe asgjë më tepër. Nuk ka pasur prapavijë as politike as përcjellje mesazhi ndarjeje apo lufte
mos dashtë Zoti, thjeshtë ka qenë një shfaqje për fëmijë një manifestim apo shënim i datave historike të shqiptarëve që
tradicionalisht festohet jo vetëm në shkollën tonë por në gjitha shkollat e vendit. Edhe ne si çdo vit e kemi festuar të
njëjtën dhe asgjë më shumë, për të rikujtuar vlerat dhe traditat tona dhe luftën heroike të popullit shqiptar, asgjë më
shumë”, tha Jasin Reka. Drejtor i Sh. F. “7 Marsi” Çellopek.
Në fokus të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit ishte edhe Shkolla e mesme e mjekësisë në
Tetovë, por sipas informatave nga ky Institucion, tek kjo shkollë dhe shkolla të tjera nuk
janë konstatuar shkelje dhe nuk ka masa të ndërmarra./TV KOHA/