Të tjera lajme

Tetovë-Prizren, këtë vit shpallet tenderi për projektimin e tunelit

Rruga e shumëpërfolur Tetovë – Prizren, përderisa nga pjesa e Kosovës ka filluar të ndërtohet, nga pjesa e Maqedonisë së Veriut ende mbetet në labirinthet institucionale projektimit i tunelit. Bashkë me tunelin pritet që të projektohet edhe rruga nga Tetova. Nga pjesa e Kosovës, marrëveshjet janë miratuar dhe buxheti është ndarë, madje ka filluar edhe ndërtimi i rrugës. Nga ana e Maqedonisë, rruga është në fazën e përgatitjes së projektit të tunelit në gjatësi prej 6.2 kilometrave. Lajm i mirë deri më tani është se është formuar grupi i punës i cili do të punojë për shpalljen e tenderit për projektin e tunelit. Këtë e thotë kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.“Veçmë janë formuar grupet e punës të cilët punojnë në drejtim të shpalljes të tenderit për projektimin e tunelit dhe në bashkëbisedim me drejtorinë e rrugëve shtetërore, jemi dakorduar që edhe projektimi i segmentit të rrugës nga Tetova deri në hyrje të tunelit të futet në programën e ndërmarrjes për rrugë shtetërore”, tha Kasami.Kasami është shprehur se janë ndarë mjete për projektin e tunelit,por pa saktësuar se sa mjete janë ndarë. “Nuk mund të futet në program nëse nuk është paraparë në buxhet.Pra, derisa jemi dakorduar që të jetë në program dhe derisa janë formuar grupet e punës sigurisht se është pjesë buxhetit.Besoj se këtë vit do të shpallet tenderi edhe për projektimin e tunelit, por edhe do të nisë projektimi i segmentit të rrugës nga Tetova –deri në hyrje të tunelit” deklaroi Kasami.Rruga Tetovë-Prizren është premtuar disa herë nga ana e përfaqësuesve të koalicionit VLEN, madje kjo është premtuar edhe gjatë qëndrimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë dhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Megjithatë, për dallim nga pjesa e Maqedonisë së Veriut, nga qeveria e Kosovës ky projekt është avancuar edhe më shumë. “Kjo rrugë i lidhë dy autostrada ndërkombëtare të cilat kalojnë në të dy anët e maleve të Sharrit, dhe lidhja e këtyre dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i afron dy qytetet dhe dy shtetet tona, ajo mundëson edhe hapjen e një korridori të ri rrugor me ndikim ekonomik për të dyja vendet” deklaroi kohë më parë Ministri i Transportit në Kosovë, Liburn Aliu.

Të fundit