Sot, në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup, pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, Selvije Selmani mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës, duke përmbyllur me sukses studimet e saj të avancuara në fushën e gjuhësisë. Pas një vlerësimi të hollësishëm nga komisioni akademik, asaj iu dha grada Doktor i shkencave humane, e cila kurorëzon përkushtimin e saj në studimet gjuhësore.

Selvije Selmani lindi më 2 Tetor 1979 në Tetovë. Arsimin fillor e përfundoi në shkollën “Faik Konica” në fshatin Odër në vitin 1994, ndërsa arsimin e mesëm e ndoqi në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i filloi në vitin 1998 në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe u diplomua në vitin 2002.
Në vitin 2020 filloi ciklin e dytë të studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore, ku fitoi titullin Magjistër i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në vitin 2021.
Në vitin 2021/2022 u regjistrua në ciklin e tretë të studimeve në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, me fokus në fjalëformimin në veprat e Murat Isakut.
Gjatë karrierës së saj, Selvije Selmani, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mësimdhënie dhe edukimin e brezave të rinj.
Që nga viti 2006, ajo punon si mësimdhënëse në shkollën fillore “Simçe Nastovski” në Jazhincë. Paralelisht me angazhimin e saj arsimor, ajo ka marrë pjesë në projekte ndërkombëtare dhe trajnime profesionale në Turqi, Zvicër, Letoni, duke përshirë iniciativa të financuara nga USAID dhe Erasmus+, ku ka dhënë ndihmesë në zbatimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe teknologjive inovative në arsimin fillor.
Selmani është një hulumtuese e pasionuar dhe autore e disa punimeve shkencore të botuara në revista të njohura si “Albanologjia”, “Годишен зборник на Филолошкиот факултет” dhe revista “ANAS”. Ajo ka trajtuar tema të ndryshme në fushën e fjalëformimit, disa veçori morfologjike të të folmes së Jazhincës dhe elementet intertekstuale në letërsinë shqipe. Kontributi i saj shkencor është prezantuar në disa konferenca ndërkombëtare,
Selvije Selmani vazhdon kërkimet e saj shkencore në fushën e gjuhësisë, duke u përqendruar kryesisht në fjalëformimin e gjuhës shqipe.







