Të tjera lajme

14 marsi dhe rekflektimi mbi të kaluarën e dhimbshme

Shkruan Urim Hasipi

Edhe pas 24 vitesh,14 marsi na kujton krismat e para në Malësinë e Tetovës.Këto krisma erdhën bashkë me pranverën e vitit 2001 e cila nuk ishte e njejtë sikurse pranverat tjera, ashtu sikurse nuk do të ishin të njejta edhe 23 pranverat tjera që pasuan.

Edhe pse pranvera e vitit 2001 do të duhej të ishte alarm se ky vend nuk ka perspektivë pa shqiptarët,megjithatë koha e dëshmoi të kundërtën.Shqiptarët nuk arritën të materializojnë as 1 përqind nga ajo që ishte projektuar.E them 1 përqind sepse shqiptarët bënë kompromisin më të keq të mundshëm ndonjëherë në historinë e tyre.Kompromisi më i dhimbshëm ishte kur lufta morri kahje tjetër duke dëshpëruar qindra luftëtarë të cilët kishin një qëllim krejt tjetër dhe jo një avancim fallco të statusit juridik të tyre.

Vendbanimet shqiptare pas 2001 u lanë në harresë,infrastruktura nuk u përmirësua, kurse përmirësim kishte vetëm punësimi dhe legalizimi i universitetit të Tetovës.

Punësimet lënë për të dëshiruar sepse u bënë në baza partiake, ndërsa shumë pak avancim kishte edhe në strukturat policore dhe armatë.

Lufta e 2001 sa e largët po aq e afër, ishte edhe e dhimbshme sepse humbën jetë nga të dyja palët.Shqiptarët humbën familje të tëra, humbën bijtë e tyre dhe në fund u lanë pa streh.Dëshmia më e madhe pë këto dështime janë se shumë ushtarë shqiptarë u larguan nga vendi, shumë të tjerë u lanë në gjendje të mjerushme kurse të tjerët ende vuajnë pasojat e plagëve dhe askush nuk kujdeset për ata.

Një pjesë tjetër që ishin në struktura komanduese u katapultuan në politikë dhe duke ja parë hajrin luftës pa bërë asnjë ditë luftë.

Shqiptarët nuk luftuan për parti politike, as për poste as për privilegje dhe fatkeqësisht ata që për dy dekada mbajtën poste të larta sikurse shqiptarët në kohën e sundimit Osman, sundimit të mbretërisë Serbo Kroate Sllovene e ish jugoslavisë e Serbisë e Maqedonisë së viteve 90-ta.

Fatkeqësia nuk përfundon këtu sepse edhe pas dy dekadave në skenë kanë filluar të dalin pasardhësit e tyre.

Dhe kur kjo paturpësi bëhet në emër të patriotizmit zhgënjimi është më i madh.
Si pasojë e këtij zhgënjimi shumë të rinj braktisën vendin pikërisht pas luftës dhe ky avaz vazhdon.

Lufta do të duhej të sillte ndryshime rrënjësore për shqiptarët për të mirë dhe jo për të keq.U krijuan shumë biznese të cilët u ngritën vetëm e vetëm për të mbajtur në pushtet politikanët e korruptuar dhe duke i shndërruar ata në diktatorë sepse vetëm tek shqiptarët pushteti është i përjetshëm. Me gjitha problemet që i ka vendi politikanë të njejtë na udhëheqin e imagjinoni në Norvegji ndryshohet pushteti ku rezervat shtetërore mundësojnë pensione të sigurta për 55 gjenerata.

Atje ka ndryshime në skenën politike e paramendoni tek ne të njejtit politikanë tash e 30 vite.

E kur jemi te lufta,aspiratat nuk u arritën, sepse të drejtat elementare nuk janë të garantuara edhe pse të cunguara dhe me përqindje të paqarta edhe sot e 24 vite varen nga vullneti i palës tjetër.

Plot çerekshekulli po kalon dhe ne ende po tkurremi si popull, po tkurren të drejtat elementare dhe po masakrohemi në metoda më të sofistikuara.Kjo i është mundësuar palës tjetër përmes palës sonë.

Lufta për pushtet i ka verbuar këta politikanë tanë tejmase saqë e ngatërrojnë rrugën në oborrin e vet.

Duke shfletuar shkrimet e para 10 viteve po shoh se janë të njejtat probleme që na përcjellin.

Përgjegjësia do të duhej të ishte e politikanëve dhe e jo e popullit.Populli u dha mundësi të gjithëve, herë me legjitimitet e herë pa legjitimitet për të na përfaqësuar dhe sot nuk na ka faj askush.Kush na ka faj se u lejuan të ndërtohen ndërtesa të mëdha pa parkingje, kush na ka faj se rrugët i kemi si në kandahar, kush na kaj faj se vendbanimet tona janë si në mesjetë.Kush na ka faj se nuk kemi mjek në vendbanimet rurale, kush na ka faj se kemi arsim të dobët, kush na ka faj se kemi spitale pa mjek.Kush na ka faj se vendbanimet tona nuk kanë kanalizime.Kush na ka faj se kemi administratorë që nuk ofrojnë shërbime cilësore.Kush na ka faj se kemi ajër të ndotur e lumenj që janë si deponi për mbeturina.Kush na ka faj se nuk u zhvillua as edhe një qendër turisike në zonat tona.Kush na kaj faj se në Kodër të Diellit hëngrën e kanë pijë funksionarë dhe nuk janë kujdesur të zhvillohet e njejta etj etj..

Faji ka adresë, ka emër e mbiemër e ato janë politikanët shqiptarë.

14 marsi urime për ata që dergjen në burgje me raste të montuara. Urime për luftëtarët e plagosur dhe veteranët.Urime për familjet e dëshmorëve. Për ju politikanët nuk ka urime por vetëm mallkime.

Nesër shkoni e flisni për patriotizëm, flisni për heroizëm, flisni për të mirat e të kqijat por jeni larg realitetit.Ju do të vini me vetura luksoze e luftëtarët në këmbë.

(Qëndrime personale dhe jo të redaksive ku unë punoj)

Të fundit