Të tjera lajme

Taravari thotë se do të luftoj deri në fund për bashkimin e VLEN-it

Kreu i ASH-së, Arben Taravari, pas kuvendit të partisë, deklaroi se do të luftojë deri në atomin e fundit që të mbijetojë koalicioni VLEN. Sipas tij, është e rëndësishme që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë koalicioni VLEN, sepse me këtë, siç u shpreh edhe vetë Taravari, fiton edhe ASH-ja.

“Ne duam që sa më shpejtë të zgjidhet ky ngërç, por duam zgjidhje motivuese. Ne jemi pjesë e qeverisë, vazhdojmë të japim kontributin tonë, në rast se dikush mendon që nuk e kemi vendin atje, kjo nuk paraqet problem për ne. Ne edhe me Mickoskin kemi raporte të shkëlqyeshme… Kemi diskutuar shumë tema, disa pika dhe kuvendi e ka autorizuar kryesinë e ASH-në që të vazhdojë me bisedime me VLEN-in. Kanë dalë disa ndarje të komunave se ku nxjerr ASH kandidatë të vetëm e ku dalim si VLEN, mirëpo duhet të flasim për këto gjëra. Tek lista e kandidatëve për Këshill, unë besoj që do shkojmë ndaras si ASH, teksa për çështje të tjera do kërkojmë bashkëpunim atje ku duhet. Do të mundohem deri në moment të fundit që VLEN të mbetet i bashkuar,” tha Taravari.

Ai gjithashtu theksoi se kryesia e ngushtë e partisë do të tentojë të gjejë një gjuhë të përbashkët me koalicionin VLEN për zgjedhjet e ardhshme. “Në ditët në vijim do të kemi takime intensive. Prioritet është bashkëpunimi me VLEN-in, por nuk i hedhim poshtë as opsionet e tjera rezervë,” theksoi Taravari në një deklaratë për media.

Taravari shtoi se Aleanca për Shqiptarët mbetet e hapur për të gjitha mundësitë që shërbejnë interesin e qytetarëve dhe përfaqësimin sa më të denjë të shqiptarëve në institucionet vendore dhe qendrore. Deklarata e Taravarit vjen në një kohë kur afatet për koalicione parazgjedhore po ngushtohen dhe presioni për bashkim të spektrit opozitar shqiptar po rritet.

Të fundit