Të tjera lajme

Kasami:Pas largimit të Taravarit, pritet të nisin shkëmbimet në ekzekutiv!Është e mundur që MSH t’i jepet VMRO-së, dhe VLEN të merr ndonjë resor tjetër

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, deklaroi se kanë pasur bisedime lidhur me kombinimet që mund të bëhen për postet ministrore pas largimit të ASH-së dhe daljes së Arben Taravarit në opozitë. Taravari i cili është ministër i Shëndetësisë, mbrëmë njoftoi se ai dhe ASH-ja largohen nga Qeveria dhe kalojnë në opozitë.

Kasami i cili është një nga liderët e VLEN-it, pjesë e koalicionit qeverisës në intervistën për “360 Gradë” tha se nuk e përjashton mundësinë që VLEN t’ia japë Ministrinë e Shëndetësisë VMRO-DPMNE-së dhe në këmbim të marrë një resor tjetër. Jozyrtarisht, sipas “360 Gradë”, po shqyrtohet mundësia që ministria e Arsimit t’i takojë VLEN-it, ndërsa me Shëndetësinë të udhëheq kuadër i VMRO-DPMNE-së.

“Ne me kryeministrin, pra me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, bisedojmë si VLEN dhe marrëveshja është midis VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së për formimin e Qeverisë. Në takimet e fundit me kryeministrin është konfirmuar edhe një herë se ne mbetemi në përcaktimet e njëjta. Pra, marrëveshja mbetet midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it dhe pozicionet e VLEN-it mbeten të sigurta”, ka thënë Kasami.

Në pyetjen nëse ai paralajmëron rikonstruim të qeverisë, Kasami tha se është e mundur, por jo në përmasa të gjera.

“Është e mundur. Jo në një shkallë më të gjerë, por disa kombinatorika me siguri do të ketë”, ka thënë mes tjerash Kasami.

Të fundit