Kampionati 2024/2025 në Ligën e parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut përfundon me ndeshjet e xhiros së 33-të që në program janë të dielën më 18 maj. Tani më çdo gjë ka përfunduar sa i përket ekipit kampion nga Federata e futbollit vinë një lajm i shkëlqyeshëm për tifozët kuqezi, të cilit do të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit në ndeshjen kundër Sileksit ku përgatitet një festë e madhe për të shënuar titullin e pestë Kampion i Maqedonisë së Veriut në futboll. Praninë e publikut në tribunat e stadiumit e ka konfirmuar vetë klubi me një njoftim për opinionin ku thuhet
“Pas vendimit të Disiplinës që pasoi ndeshjen ndaj AP Brerës, ku një grup tifozësh nuk respektuan një minutë heshtje para fillimit të takimit, klubi ynë u ndëshkua me zhvillimin e pesë ndeshjeve pa publik. Ky dënim nënkuptonte mbylljen e sezonit si vendas pa praninë e tifozëve në tribuna.
Mirëpo, pas ankesës së dorëzuar nga KF Shkëndija, Komisioni i Apelit pranë FFM-së ka vendosur të pranojë kërkesën tonë duke e zbutur masën disiplinore, dënimi u ul nga pesë në katër ndeshje pa publik.
Kjo do të thotë se ndeshja e fundit në Tetovë, ku skuadra jonë do të pranojë trofeun e titullit të kampionit për herë të pestë në histori, do të zhvillohet me tifozët tanë në krah, një moment i shumëpritur për të gjithë ne.
Klubi fton të gjithë dashamirët e Shkëndijës që të jenë të pranishëm në këtë ndeshje historike dhe të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere madhështore që i shkon për shtat një kampioni’.
Krahas tifozëve në këtë festë të madhe të ekipit kuqezi pa dyshin se të pranishëm do të jenë edhe të ftuar nga Federata e futbollit të Maqedonisë , Federata Shqiptare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës si dhe zyrtar të shumë nga institucionet vendore .
Pra të dielën të gjithë së bashku të festojmë me dinjitet titullin e pestë të simbolit të futbollit shqiptar në Maqedoninë e veriut dhe jo vetëm .
SHABAN SINANI – TV KOHA







