Të tjera lajme

MESAZHI I REISUL ULEMASË ME RASTIN E FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit.

“Tek Allahu nuk arrin as mishi i tyre, e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.”

(Sura El-Haxh, 22:37)

Të nderuar besimtarë!

Sot, me kënaqësi dhe gëzim të thellë shpirtëror, festojmë Kurban Bajramin – një festë e madhe dhe e bekuar që ngërthen ngjarje hyjnore, të cilat janë burim frymëzimi për ngritjen e vetëdijes së besimtarit mbi dashurinë dhe përkushtimin ndaj Allahut Fuqiplotë.

Madhështoria e kësaj Feste të madhe qëndron në faktin se në këto ditë është plotësuar zbritja e Kur’anit famëlartë, janë ditë të kryerjes së Haxhit- kushtit të pestë islam dhe besimtarët kryejnë obligimin e prerjes së kurbanëve të tyre për hirë të Allahut Fuqiplitë.

Festa e Kurbanit Bajramit është shprehje e besimit të palëkundur për të sakrifikuar gjithçka po bile edhe më të shtrenjtën për hir të Allahut – për të dëshmuar në praktikë se dashuria dhe përkushtimi ndaj madhërisë së Tij është mbi çdo gjë tjetër, ashtu siç veproi Ibrahimi a.s. i cili ishte i gatshëm për të flijuar birin e tij Ismailin a.s.

Institucioni i kurbanit është një shprehje konkrete për të kuptuar se nuk ka vepra madhore pa përpjekje dhe flijim madhor dhe se njeriu vlen aq sa është i gatshëm të ndajë më të dashurën për të tjerët. Andaj, festa e Kurban Bajramit, nuk është thjeshtë një ditë feste, por është festë që edukon besimtarin të jetë bujar, fisnikëron shpirtin dhe zemrën, e bën pjesëmarrës në vepra të mëdha, e nxit të jetë solidar, të ndihmojë të varfrit dhe skamnorët, forcon lidhjet shpirtërore dhe shoqërore, nxit unitetin në të mirë dhe në vështirësi, dhe kultivon paqen, dashurinë e bashkëjetesën mes njerëzve, e gjithë kjo dëshmon se nuk është thjesht një veprim formal, por një ambijent i thellë shpirtëror, që mbjell në zemrën e besimtarit shkallën më të lartë të devotshmërisë, që është burimi i çdo të mire në jetën personale, familjare dhe shoqërore.

Allahu Fuqiplotë thotë në Kur’anin Famëlartë:

“Tek Allahu nuk arrin as mishi i tyre, e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.” (Sura El-Haxh, 22:37)

Në kohën e sfidave të mëdha, kjo festë na kujton se është e domosdoshme të angazhohemi në eliminimin e problemeve me të cilat përballet njerëzimit, të zhdukim varfërinë dhe të mbjellim qetësinë dhe begatitë e jetës, të ngremë vlerat morale ndaj anomalisë së sotme;të promovojmë shpirtëroren në vend të egoizmit dhe gjelozisë;të përhapim paqen në vend të luftës dhe mizorive – siç po ndodh në botë, të vendosim dijen mbi injorancën dhe rendin mbi kaosin.

Festa e Kurban Bajramit na përkujton domosdoshmërinë e respektit dhe harmonisë – kudo në botë, e në veçanti në vendin tonë multikonfesional dhe multietnik – për të qenë të bashkuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të begatë, dhe për të ecur të gjithë së bashku drejt një të ardhmeje të ndritur.

Të nderuar besimtarë!

Festa e Kurban Bajramit le të jetë një rast për kthim drejt vetvetes, për të shmangur të keqen dhe për t’iu rikthyer të mirës, afërsisë, paqes, barazisë, drejtësisë dhe dashurisë ndaj Zotit të Plotfuqishëm.

Në fund, më lejoni që, në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal, t’ju uroj të gjithëve – kudo që jetoni dhe veproni – Urime të përzemërta për Festën e Kurban Bajramit!

Lutemi që Allahu Fuqiplotë t’ju pranojë adhurimet, kurbanët dhe veprat e mira, t’ju dhurojë mbarësi në familjet tuaja, vetëdije për një të ardhme më të mirë dhe afërsi më të madhe mes njëri-tjetrit.

Zoti ju bekoftë!

Urime Festa e Madhe e Kurban Bajramit.

Të fundit