Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit thonë se janë të shqetësuar për dakordimin mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe koalicionit VLEN, që propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të dërgohet fillimisht në Komisionin e Venecias, pa u miratuar më parë në Kuvend.
“Kryeministri Mickoski ka bërë të qartë se projektligji do të kalojë në Qeveri, por do të dërgohet për vlerësim ndërkombëtar përpara se të hyjë në procedurë parlamentare. Me këtë qëndrim janë pajtuar edhe liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke e justifikuar vendimin me nevojën për shmangien e problemeve si ato me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese. Por Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se kjo qasje është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme”, thonë nga ASH-Taravari.







