Shpalosja e Pikës 7 të Platformës Kombëtare:
Bujqësia shqiptare, përveç se është një sektor ekonomik, ajo është edhe një trashëgimi, një mënyrë jetese dhe një garanci për sigurinë ushqimore të popullit tonë. Për Aleancën për Shqiptarët, forcimi i bujqësisë është një prioritet kombëtar dhe lokal, sepse aty nis zhvillimi ekonomik, mirëqenia e familjeve dhe ruajtja e tokës si pasuri e shenjtë kombëtare.
Në këtë drejtim, ne angazhohemi për:
• Subvencione të posaçme dhe ndihmë direkte për bujqit shqiptarë, me përparësi për ata që sot mbeten jashtë çdo mbështetjeje shtetërore.
• Krijimin e tregjeve komunale dhe kooperativave bujqësore, për të ulur shpenzimet, rritur prodhimin dhe siguruar shitjen direkte të prodhimeve vendore.
• Investime serioze në infrastrukturën rurale, duke përfshirë sisteme moderne të ujitjes, rrugë të asfaltuara fshatare dhe ndriçim publik në zonat rurale.
• Zhvillimin e bujqësisë ekologjike dhe agroturizmit si motorë të rinj të ekonomisë rurale dhe si mënyrë për të promovuar trashëgiminë natyrore e kulturore shqiptare.
• Krijimin e qendrave të këshillimit bujqësor dhe veterinar, me ekspertë të terrenit, shërbime teknike dhe vizita të rregullta për shëndetin e bagëtive.
• Mbrojtjen e tokave bujqësore nga betonizimi dhe nga çdo shfrytëzim i pakontrolluar, duke e trajtuar tokën pjellore si pasuri të përbashkët kombëtare që duhet ruajtur me ligj.
Ne besojmë se bujku shqiptar është kujdestari i tokës, ushqimit dhe traditës sonë. Forcimi i tij është forcimi i gjithë kombit. Çdo investim në bujqësi është investim në të ardhmen tonë të përbashkët.
Arben Taravari
Kryetar i Aleancës për Shqiptarët







