Pulmologu nga Likova, Zekirija Shahini ka qenë cak i një atentati sot në Kumanovë. Ndaj tij kanë shtënë dy persona me pistoleta. Identiteti i tyre nuk dihet për shkak se mësohet që kanë pasur të vendosura maska. Gjendja e tij shëndetësore është e stabile dhe është jashtë rrezikut për jetë.Policia e ka konfirmuar rastin duke theksuar se “Rreth orës 13:54 minuta në Kumanovë, dy persona të panjohur kanë shtënë me armë në veturën e personit Zekirija Shahini nga fshati Sllupçan i punësuar në Klinikën e Pulmoloigjisë. Me ndihmën e par është dërguar në Spitalin e Qytetit” , njoftojnë nga SPB Kumanovë.Motivet e atentatit nuk janë bërë të ditura, ndërsa policia ka formuar disa pista hetimi me qëllim identifikimin e personave. Zekirija Shahini aktualisht ndodhet në garë për kryetarë këshilli në Kuvendin komunal të Likovës. Është i punësuar në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, ndërsa në vitin 2001 ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.Lidhur me incidentin në Kumanovë, dy prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprime hetimore. Po mblidhen gjurmë dhe prova materiale që do të jenë objekt i ekspertizës. Një person është plagosur në të shtënat, ndërsa sulmuesi është në kërkim. Indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur, por po verifikohen të gjitha rrethanat.Lidhur me rastin reaguan nga Shtabi i Koalicionit VLEN prej nga shprehim keqardhje të thellë për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Kumanovë, ku është plagosur bartësi i listës nga radhët e AKI-së. “Ne si koalicion dënojmë çdo formë të dhunës dhe apelojmë për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente për hetimin e rastit. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë aktet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Apelojmë që organet e rendit të zbardhin sa më shpejt motivet dhe autorët e këtij akti”, thonw nga Koalicioni VLEN.







