Maqedonia e Veriut po përballet me sfida serioze të migrimit, ndërsa sipas vlerësimeve të ndryshme mbi 700 mijë shtetas të saj jetojnë jashtë vendit, që llogaritet të jetë më shumë se 30% e popullsisë. Sipas të dhënave të ICMPD (dhjetor 2022), diaspora e Maqedonisë numëron rreth 693.896 persona, ose 25% të popullsisë, me shumicën e tyre në shtetet e BE-së – veçanërisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali – si dhe në Australi, SHBA dhe Kanada.
Si përgjigje ndaj këtij trendi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka hartuar draft–Strategjinë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030. Ministri Timço Mucunski theksoi se bëhet fjalë për një qasje sistemike, që synon administratë moderne, digjitale dhe të besueshme, “duke krijuar një sistem, e jo improvizim”.
Strategjia parasheh:
• program qeveritar për riintegrimin e të kthyerve,
• vendosjen e “oficerëve për lidhje” në komuna, si ura mes diasporës dhe institucioneve,
• mundësinë e emërimit të një “deputeti special për diasporën”.
Diaspora vlerësohet si faktor kyç ekonomik: remitancat arrijnë 4–10% të BPV-së, ndërsa emigrantët shihen si potencial për investime në biznese të vogla e të mesme, patundshmëri dhe projekte sociale.
Një anketë globale e organizatës “Maqedonia 2025” me 1.436 përgjigje nga mbi 50 vende tregon se pothuajse gjysma e të anketuarve do ta merrnin në konsideratë kthimin afatgjatë në vend, nëse sigurohen institucione të qëndrueshme, sundim i ligjit, kushte më të mira ekonomike, më pak burokraci dhe mbështetje e qartë institucionale për investime.(INA)







