Të tjera lajme

Eric ia sheh hairin babait – dhjetë herë më i pasur pasi Donald Trump u bë sërish president i SHBA-së

Eric Trump, djali i presidentit amerikan Donald Trump, e ka rritur dhjetëfish pasurinë që nga rikthimi i të atit në Shtëpinë e Bardhë, ka raportuar revista Forbes.

Pjesa më e madhe e pasurisë lidhet me 7.3 për qind të aksioneve në kompaninë American Bitcoin, një kompani që “minon” dhe grumbullon kriptovaluta.

Në fund të muajit shtator, kompania zotëronte 3418 Bitcoin, të cilët me çmimet e sotme vlejnë mbi 320 milionë dollarë. Meqenëse vlera e kompanisë vlerësohet mbi dy miliardë dollarë, pjesa e Ericut vlen rreth 160 milionë dollarë.

Së bashku me pasuritë e tjera, këto dy kompani kriptovalutash e kanë ngritur pasurinë e Eric Trumpit në rreth 400 milionë dollarë – dhjetëfish krahasuar me periudhën para rikthimit të babait të tij në Shtëpinë e Bardhë. I pyetur për koment, Eric e ka kundërshtuar këtë vlerësim, por ka refuzuar të shpjegojë pse.

Eric Trump prej nëntë vitesh drejton kompaninë e të atit, Trump Organization, të cilës iu bashkua në vitin 2006, por ai nuk ka pjesë në pasuritë e paluajtshme për të cilat kompania është e njohur.

Vlera e aksioneve të American Bitcoin në fillim të shtatorit u rrit përkohësisht në 14.52 dollarë, gjë që do të thoshte se 68 milionë aksionet e Ericut vlenin rreth një miliard dollarë, por më pas ra dhe këtë javë ishte rreth 2.39 dollarë.

Kur Forbes vlerësoi pasurinë e familjes Trump në mesin e muajit shtatorit, pasuria e Eric Trumpit llogaritej rreth 750 milionë dollarë, nga të cilat 500 milionë vinin nga pjesa e tij në American Bitcoin. Sot kjo vlerë është dukshëm më e ulët, por ai mbetet shumë më i pasur se në vitin e kaluar.

Pas rikthimit të të atit në krye të politikës amerikane, ai ka përfituar nga interesi i shtuar ndërkombëtar për të bërë biznes me Trump Organization.

Sipas vlerësimeve, vitin e kaluar ai fitoi rreth 3.2 milionë dollarë nga marrëveshje të reja licencimi në Dubai, Arabinë Saudite dhe Vietnam.

Të fundit