Të tjera lajme

Aktivitet letrar “Mozaik në vargje – mozaik në gur”  

                        Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM” – Tetovë realizoi dje aktivitetin letrar “Mozaik në vargje – mozaik në gur”, i cili u mbajt në Shtëpinë muze të akademik prof. dr. Izet Zeqiri, në fshatin Xhepçisht.

 Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë të veçantë kulturore, ku morën pjesë poetë tetovar, anëtarë të Shoqatës, të cilët lexuan krijimet e tyre poetike, duke krijuar një mozaik vargjesh dhe ndjesish artistike. Ambienti autentik i shtëpisë muze, i pasur me eksponate dhe relikte nga kultura dhe tradita shqiptare, i dha ngjarjes një dimension të veçantë simbolik dhe estetik.

 Në kuadër të aktivitetit u prezantuan edhe punimet dhe pikturat e prof. dr. Izet Zeqirit, të cilat pasqyrojnë ndjeshmërinë e tij artistike dhe përkushtimin ndaj vlerave kulturore kombëtare.

 Akademik prof. dr. Izet Zeqiri është një personalitet i shquar i arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Me një veprimtari shumëvjeçare si profesor universitar, studiues dhe akademik, ai ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e gjuhësisë, arsimit dhe studimeve albanologjike, duke formuar breza të tërë intelektualësh. Përkushtimi i tij ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare gjen shprehjen më të plotë në Shtëpinë muze, e cila përfaqëson një arkiv të gjallë të historisë, traditës dhe identitetit kombëtar.

 Veprimtaria “Mozaik në vargje – mozaik në gur” u shndërrua në një takim domethënës mes fjalës poetike, artit pamor dhe kujtesës kulturore, duke nderuar kontributin e vyer të akademik prof. dr. Izet Zeqirit dhe duke dëshmuar misionin e Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM” për promovimin e letërsisë shqipe dhe vlerave kulturore shqiptare. Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, Sadije Aliti, nderoi me mirënjohje, akademik  Izet Zeqirin, për kontribut të çmueshëm në shkencë, kulturë dhe arte pamore. Arti flet më bukur kur bashkohen tradicionalja, mozaiku i punimeve dhe vargu poetik.

Të fundit