Të tjera lajme

DERI KUR THIRRJE ANTISHQIPTARE NËPËR STADIUME?!

Java e fundit e kampionatit në Ligën e Parë të Futbollit, krahas “betejave” në terren në garën për titull dhe mbijetesë u karakterizua edhe me thirrje antishqiptare në shkallët e stadiumit në ndeshjen Vardari – Bashkimi.

Përtej incidentit me kartonin e kuq në fund të ndeshjes, shqetësuese paraqitet mos reagimi I zyrtarëve kompetent të futbollit, të cilët nuk e dënuan këtë sjellje të shëmtuar të “Komitëve”.

KF Bashkimi përmes një komunikate njoftoi se kishte braktisur ndeshjen vetëm për shkak të thirrjeve antishqiptare.

FFM-ja, në reagimin e vetëm, vrapoi ta “amnistojë” referin e ndeshjes duke anashkaluar pjesën kryesore – atë të thirrjeve antishqiptare. Deri tani nuk ka një reagim dhe nëse do të sanksionohet organizatori I ndeshjes, pasi nëpër video-xhirimet e publikuara dëgjohen qartë thirrjet antishqiptare. Mosndëshkimi I këtyre dukurive të shëmtuara, padyshim se ka “efekt domino” dhe thirrjet e këtilla nuk çrrënjosen nga stadiumet e vendit.

Krahas këtij episodi të shëmtuar, një tjetër njoftim, irritoi pa masë futbolldashësit shqiptarë.

KF “Shkëndija” para ndeshjes me Sileksin njoftoi se shkaku I angazhimeve në Evropë, kishte kërkuar shtyerje të ndeshjes, por ishte refuzuar.

“Të detyruar të luajmë në “baltën” e Kratovës ndërmjet dy përballjeve më të rëndësishme të futbollit vendor në Kupat e Europës, kuqezinjtë treguan karakter, duke dalë me tre pikë të mëdha” – thuhet në komunikatën e Shkëndijës.

Shtrohet pyetja se përse Shkëndijës iu pamundësua shtyerja e ndeshjes?

Duhet të potencohet se falë rezultateve të “kuqezinjve” në këtë stinor evropian, në sezonin 2026/2027 Maqedonia e Veriut do të ketë katër skuadra në garat evropiane.

Sërish shtrojmë pyetjen se kush është duke bërë më shumë për futbollin në Maqedoninë e Veriut dhe përse ky angazhim dhe këto rezultate nuk “shpërblehen” nga kompetentët të paktën me një shtyerje të ndeshjes?

Është koha e fundit që të sanksionohen dukuritë e shëmtuara me thirrjet antishqiptare nëpër stadiume, kurse skuadra që përfaqëson Maqedoninë në garat evropiane të ketë një trajtim dinjitoz, të paktën në këtë mënyrë mbase mund të zbehen episodet për “simpatitë” ndaj Vardarit dhe pohimeve se FFM-ja për dikend është “nënë” e për dikend tjetër “njerkë”!

Të fundit