Të tjera lajme

 “KUSHTRIMI I LIRISË” BËRI BASHKË SHQIPTARËT NË FIRENCË TË ITALISË!

“Epopeja e UÇK-së” mbahet edhe në Firencë të Italisë. Ky manifestim kulturor bëri bashkë shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Organizatorët thanë se përmes këtij manifestimi ruajnë kujtesën historike, forcojnë identitetin kombëtar dhe përcjellin tek brezat e rinj mesazhin e sakrificës, luftës dhe unitetit që kanë bërë edhe shoqatat shqiptare në Itali.

Të dielën e 8 Marsit në Firencë të Italisë u mbajt Manifestimi përkujtimor “Kushtrimi i Lirisë” kushtuar sakrificës sublime të Familjes Jashari.

Organizator I këtij manifestimi ishte Federata e Shoqatave Shqiptare në Itali bashkë me shoqatën “Adriatiku”.

Manifestimi përkujtimor bëri bashkë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vendin tonë në këtë manifestim përkujtimor e përfaqësonin Zv/Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani dhe Deputeti Adnan Azizi.

Organizatori tha se ky manifestim shërben si urë lidhëse mes mërgatës dhe atdheut duke dëshmuar se vlerat kombëtare jetojnë dhe fuqizohen kudo që ndodhen shqiptarët.

“Për ne shqiptarët e diasporës në Itali, kujtesa historike nuk është vetëm një detyrim moral, ajo është edhe një mision institucional. Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare mbetet e përkushtuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e vlerave tona historike dhe kulturore, forcimin e bashkëpunimit midis komuniteteve tona”

Në fjalimin e tij, I biri I Komandantitr Legjendar Adem Jashari, Lulzim Jashari, bëri thirrje që shqiptarët në Itali fëmijëve të tyre t`ua lënë amanet gjuhën shqipe dhe se lufta e Kosovës kishte karakterin kombëtar.

“Lufta për çlirim nuk ishte vetëm e Kosovës, por ishte luftë e gjithë kombit dhe kishte vetëm karakter kombëtar dhe si e tillë kujtohet sot dhe do të përkujtohet përgjithmonë”

Në pjesën kulturore të këtij manifestimi performuan artistë të shoqatave aktive shqiptare në Itali, por “qershia mbi tortë” ishte programi i Ansamblit Shtetëror të këngëve dhe valleve popullore shqiptare nga Maqedonia e Veriut, të cilët me këngë e valle nga repertoari I larmishëm mahnitën publikun e pranishëm në Firencë të Italisë.

Federata e Shoqatave Shqiptare në Itali ndau edhe mirënjohje për personalitete publike të cilët me aktivitetet dhe veprat e tyre kanë promovuar shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu u mbajt edhe një ekspozitë me fotografi me titull “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” me autor Sefer Aliçkaj.

Ndryshe, Manifestimin përkujtimor “Kushtrimi i Lirisë” në Firencë të Italisë, patën mundësi ta ndjekin shqiptarët kudo nëpër botë, pasi i njëjti drejtpërdrejt u transmetua në faqen zyrtare të Televizionit Koha në Facebook.

Të fundit