“Drejtësia nuk duhet të jetë as shumë e shpejtë dhe as e vonuar. Vetëm drejtësia dhe e vërteta mund të sjellin një qetësi të vogël për familjet dhe për shoqërinë”, tha Kryeparlamentari, Afrim Gashi, në fjalimin e tij gjatë seancës komemorative me rastin e njëvjetorit të tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj dhe mbi 200 të tjerë u plagosën nga zjarri në diskotekën “Puls”.
Ai bëri thirrje që të përcaktohet saktësisht përgjegjësia për jetët e humbura për shkak të lëshimeve të bëra.
Kryeparlamentari Gashi theksoi se kjo seancë komemorative nuk është vetëm një formalitet institucional, por një përkulje e përbashkët para atyre që mbajnë peshën e kësaj tragjedie.
“Për të folur për tragjedinë e këtillë ndoshta paraqet detyrën më të vështirë që mund t`i takojë një institucioni. Ajo natë Koçani dhe Maqedonia humbën një pjesë të së ardhmes së tyre. Atë natë, bashkë me jetët e 63 të rinjve, u shuan edhe ëndrrat dhe planet që sapo kishin filluar të ndërtoheshin. Edhe pas një viti është e vështirë të gjenden, e aq më e vështirë të shqiptohen fjalët. Ato gjithmonë duken të pamjaftueshme për të shprehur atë që njeriu ndien. Fjala publike është detyrim, por kurrë më parë nuk ka qenë kaq e rëndë”
Ndërkohë, ka vazhduar procesi gjyqësor për zjarrin në “Puls”. Gjyqi, i cili nisi më 19 nëntor të vitit të kaluar, pritet të vazhdojë me dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Mes tyre janë pronari i kabarese, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra si dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte të ashtuquajturën kabare dhe pronari i saj.
Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën e prokurorisë se ekziston lidhje shkak-pasojë mes veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit vdekjeprurës. Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.







