Të tjera lajme

MARSI SOLLI DËBORËN NË VISET MALORE!

Edhe pse obligimi për posedimin e pajisjeve dimërore nëpër automjete skadoi para tri ditëve, bora ka surprizuar vozitësit në drejtimet e rrugëve  që kalojnë përmes viseve malore.

Reshje të borës janë shënuar në Kodrën e Diellit dhe në Krushevë por edhe në drejtimet rrugore Strazhë, Bukovë dhe Gjavatë. Njoftimet e Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë, thonë se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

“Për shkak të depërtimit të masës së ftohtë ajrore nga veriu, nëpër male dhe në vise më të larta do të ketë kushte që reshjet e shiut të kalojnë në ato të dëborës” – kishin paralajmëruar nga Drejtoria për Punë Hidrometereologjike.

Moti i këtillë ka shkaktuar rënie drastike të temperaturave duke sjellë motin dimëror pas një periudhe të kohës së mirë prtanverore që dominoi ditëve të kaluara.

Njoftimet flasin se në Kodrën e Diellit, me reshjet e reja, trashësia e dëborës ka shkuar në 58 centimetra. Është ky një sihariq për adhuruesit e skijimit, të cilët, sidomos gjatë fundjavës  “pushtojnë” këtë qendër turistike.

Sipas “MeteoAlarm” deri të premten më 20 mars në vendin tonë moti do të jetë kryesisht me vranësira dhe reshje lokale të shiut, kurse në viset malore me reshje të dëborës. Për shkak të valës së ftohtë, kufiri i borës do të zbresë nën 1.000 metra.

Të fundit