Para festës së Bajramit, berberët bëhen më të kërkuar se politikanët dhe hyjnë në një periudhë që mund pa frikë ta quajm “sezoni i artë i gërshërëve”.
Dyqanet e tyre mbushen plot me burra që papritmas u kujtohet se flokët dhe mjekra u janë rritur pak më shumë se zakonisht.
Në ditët para Bajramit, tek berberi krijohet një atmosferë e veçantë: dikush pret radhën me durim, dikush shikon në pasqyrë dhe mendon se ndoshta duhet të kishte ardhur një javë më herët, ndërsa berberi punon pa pushim, me gërshërët që bëjnë muzikën e tyre të përditshme. Në ato momente ai nuk është thjesht berber; ai bëhet edhe psikolog, edhe këshilltar mode, madje ndonjëherë edhe gjykatës i vogël për debatet që lindin mes klientëve.
Zulkani Luma, profesonin e berberit e ushtron për gati 40 vite dhe thotë se gjithmonë, para festës së Bajramit ka pasur kallaballëk.
Luma thotë se sidomos ditën e fundit të Ramazanit që ndryshe njihet si DITË ARIFE, orari i punës për berberët mund të shkojë deri në 18 orë në ditë.
E si çdo profesion tjetër, edhe berberllëku del t’i ketë sfidat e veta.
Në fund të ditës, kur dyqani më në fund qetësohet, berberi e di se ka bërë më shumë se sa një punë të zakonshme. Ai ka ndihmuar që shumë njerëz të hyjnë në festën e Bajramit me vetëbesim, të rregulluar bukur dhe me buzëqeshje. Sepse ndonjëherë, një prerje e mirë flokësh dhe një rruajtje e pastër janë fillimi i një feste të bukur.







