Kuvendi sot, në seancën e 94-të, zgjodhi Nenad Saveski për Prokuror të ri Publik të Shtetit. Propozimin e Qeverisë për emërimin e Saveskit para deputetëve e arsyetoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski.
Kuvendi zgjodhi Nenad Saveskin për Kryeprokuror. Zgjedhja e tij u mbështet nga 66 deputetë, dy votuan “kundër”, ndërsa tetë ishin të përmbajtur.
Zgjedhjes i parapriu një debat, ku deputetët e pushtetit dhe opozitës shkëmbyen kritika për përgjegjësinë ndaj besimit të ulët në sistemin gjyqësor, përpjekjet për politizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe u përmendën pasojat nga puna e ish- Prokurorisë Speciale Publike. Në diskutime u përmendën edhe ish-kryeministrat Zoran Zaev dhe Nikola Gruevski.
Saveski, aktualisht gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, u nominua nga Qeveria më 10 mars, pas dorëheqjes së ish-prokurorit Ljupço Kocevski dhe pas një procedure në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.
Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976 dhe jeton në Gostivar. Ai është magjistër i shkencave juridike në fushën e së drejtës penale.
Nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Penale në Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion.
Në biografinë e tij përfshihen edhe angazhime ndërkombëtare si ekspert në OSBE në Maqedoni, në Konventën Kombëtare për BE – Kapitulli 23, si dhe në projekte të Këshillit të Evropës.
Në aspektin akademik, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor kombëtar dhe trajner në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajner për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale.
Flet maqedonisht, anglisht, gjermanisht, serbisht dhe në nivel bazë shqip.







