Me rastin e festës së Fitër Bajramit, në Qendrën për Shërbime Fetare dhe Sociale, Myftiu I Tetovës, Selver Xhemaili, organizoi pritjen tradicionale për këtë festë. Sic e do zakoni, për mysafirët, nuk mungoi Bakllavaja e Bajramit.
Për bashkëpunëtorët, Imamët, Mutevelitë, Këshillat e Xhamive dhe besimtarët në përgjithësi, Myftiu I Tetovës, Selver Ef.Xhemaili, organizoi pritjen tradicionale për Fitër – Bajramin për të uruar dhe përgëzuar me rastin e kësaj feste.
Natyrisht në këtë pritje tradicionale nuk mungoi shpërndarja e bakllavasë për mysafirët, të cilët patën mundësi të uronin njëri-tjetrin dhe të bisedojnë e kuvendojnë rreth 30 ditëve të Ramazanit por edhe për atmosferën festive gjatë Fitër – Bajramit.
“Shfrytrëzoj rastin të falënderoj të gjithë hoxhallarët që kanë qenë aktiv gjatë Muajit të Ramazanit dhe kanë kontribuar në formën më të bukur dhe më të mirë si dhe Këshillat e Xhamive në krye me Mutevelitë për angazhimin e tyre, arkëtarët e xhamive me rastin e organizimit të tubimeve për sadakul-fitrin dhe Zekatin duke lutur All-llahun fuqiplotë që të gjithëve t`ua bëjë kabull dhe t`ua pranojë. Sot kishim rastin që bashkërisht të urojmë njëri-tjetrin dhe të shijojmë bakllavanë e Bajramit”
Në ambientet e Qendrës për Shërbime Fetare dhe Sociale Tv Koha regjistroi edhe ardhjen e Kreut të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, në shoqëri të Zëvendësit të tij, Albi Qamilit, por edhe të Deputetit Adnan Azizit, të cilët, uruan Myftiun dhe besimtarët për Festën e Fitër Bajramit duke dëshiruar që kjo festë të kalojë në atmosferë dhe harmoni familjare dhe solidarizimit ndërnjerëzor.
Tashmë është bërë traditë që krerët e institucioneve fetare të organizojnë pritje për festën e Bajramit, që përvec shijimit të bakllavasë, pasqyron edhe nderin dhe respektin për të gjithë besimtarët për sakrificat gjatë Muajit të Ramazanit por edhe për të shijuar frytet me festën e Bajramit.







