Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ku ka kërkuar një moratorium të menjëhershëm për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe rivendosjen e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Përmes një reagimi zyrtar në platformën X, kreu i Elizesë bëri të ditur se i ka riafirmuar Riadit solidaritetin e plotë të Francës. Ai theksoi angazhimin e Parisit për të kontribuar në mbrojtjen ajrore të Arabisë Saudite, e cila, sipas tij, po përballet me “sulme të përsëritura dhe të papranueshme me raketa dhe dronë nga Irani”.
Kushtet për shmangien e përshkallëzimit
Në dritën e rrezikut të një përshkallëzimi të pakontrolluar në Lindjen e Mesme, Macron paraqiti kërkesa thelbësore për palët e përfshira:
Moratorium mbi infrastrukturën ku të gjitha palët ndërluftuese duhet të bien dakord për të mos goditur asetet energjetike dhe infrastrukturën civile.
Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, Irani duhet të rivendosë urgjentisht lirinë e lëvizjes dhe lundrimit në këtë pikë strategjike globale.
“Ka ardhur koha për përgjegjësi dhe moderim, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillimin e dialogut, e vetmja mënyrë për të garantuar paqen dhe sigurinë për të gjithë,” u shpreh Macron.
Në mbyllje të qëndrimit të tij, Presidenti francez theksoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve të G7-ës dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në këtë moment kritik, duke konfirmuar se Parisi dhe Riadi po bashkërendojnë ngushtësisht veprimet e tyre në këtë drejtim.
/rtsh.al/







