Të tjera lajme

Albi Qamili: Bujar Osmani, “shqiptar i madh” në opozitë, e kundërta në pushtet

Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka publikuar një video-prezantim në të cilën kritikon kryetarin e BDI-së, Bujar Osmani, duke e akuzuar për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve politike, varësisht nëse ndodhet në pushtet apo në opozitë.

Në video, Qamili ngre pyetjen se cili është “Bujar Osmani i vërtetë”, ai që ishte pjesë e qeverisë apo ai që sot vepron nga opozita, duke pretenduar se qëndrimet e Osmanit kanë ndryshuar në disa çështje të rëndësishme.
Sipas Qamilit, gjatë kohës sa ishte ministër i Punëve të Jashtme, Osmani shprehte solidaritet me Izraelin dhe dënonte sulmet ndaj civilëve izraelitë, ndërsa tani, në opozitë, fokusohet në mbështetjen për palestinezët dhe kritikon qasjen e Maqedonisë së Veriut ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në video përmendet edhe çështja e gjuhës, ku Qamili rikujton deklaratat e Osmanit gjatë debatit për propozimin francez, kur ai, sipas tij, mbronte statusin e gjuhës maqedonase në procesin e integrimit evropian. Ndërkaq, sot, sipas Qamilit, Osmani paraqitet si mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve dhe i përdorimit të gjuhës shqipe.

Qamili kritikon edhe rolin e Osmanit si kryesues i OSBE-së, duke përmendur organizimin e takimit në Shkup me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe planin nëntëpikësh për situatën në veri të Kosovës, për të cilin pretendon se favorizonte Serbinë.

Në fund të videos, zëvendëskryetari i Tetovës thekson se, sipas tij, qëndrimet politike të Bujar Osmanit nuk udhëhiqen nga parimet, por nga pozita që mban në skenën politike.

“Sa herë ndryshon karrigia, ndryshon edhe Bujari,” përfundon mesazhi i Qamilit në video.

 

Të fundit