21/07/2024
22.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Alternativa: Grubi dhe Kovaçevski vazhdojnë “të qerasin” familjarët e njëri-tjetrit me pronë shtetërore

Përderisa qytetarët e vendit po përballen me inflacionin më të lartë dhe krizën më të madhe ekonomike në 15 vitet e fundit, BDI dhe LSDM vazhdojnë të ushtrojnë kleptomaninë e tyre mbi buxhetin e shtetit.

Siç informojnë mediat, së fundmi zv/kryeministri i parë Artan Grubi i ka bërë peshqesh një tokë shtetërore bashkëshortes së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Këto praktika, ku BDI dhe LSDM “i japin” njëra tjetrës nga xhepi i qytetarëve, janë arsyeja kryesore që qytetarët gjithnjë e më shumë po “votojnë me këmbë”, duke e braktisur shtetin.

Reagimi pa turp dhe pa dinjitet i kryeministrit Kovaçevski për bizneset e bashkëshortes së tij, por edhe i zv/kryeministrit Grubi për kompanitë e vëllait, të cilat ndihmohen nga buxheti, tregon se këtyre njerëzve u ka plasur perdja.

Këta që kanë gojën plot Evropë, harrojnë se korrupsioni dhe kleptomanianuk kanë vend në BE. Në fakt janë pikërisht këto vese të BDI-së dhe LSDM-së që po e mbajnë vendin larg Bashkimit Evropian. Në një shtet normal të BE-së, siç është Suedia, ministrja Mona Sahlin dha dorëheqje për shkak se kishte blerë “Toblerone” me kartelën zyrtare. Ndërsa BDI dhe LSDM, më saktë Grubi dhe Kovaçevski, sillen pa pikë turpi edhe kur zbulohen afera qindra mijëshe e milionëshe.

AlternAtivA kërkon nga organet gjyqësore të hetojnë urgjentisht indikacionet për konflikt interesi, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastet e familjarëve të kryeministrit dhe zv/kryeministrit.

Vjedhja e BDI-së u kushton shqiptarëve. Jo vetëm për shkak se buxheti për kanalizime, rrugë e çerdhe shkon në xhepat e BDI-së, por edhe për shkak të kompromiseve kombëtare të cilat i bëjnë për të vazhduar tenderokracinë.

Të fundit