29/06/2022
20.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Autostrada me huazime të reja

Në procedurë parlamentare për tu miratuar me procedurë të shkurtuar gjendet Ligji për garanci, sipas të cilit BERZH do t’i huazojë 110 milionë euro ndërmarrjes shtetërore për ndërtimin e rrugëve për aksin rrugor “Bukojçani-Kërçovë”

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 2 tetor – Afër 130 milion euro do të kushtojë aksi rrugor prej Kërçove deri në fshatin Bukojçani në drejtim të Gostivarit. Rruga e gjatë 12.7 kilometra pritet të financohet me kredi të jashtme dhe grante. Në procedurë parlamentare për tu miratuar me procedurë të shkurtuar gjendet Ligji për garanci, sipas të cilit Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim do t’i huazojë 110 milion euro Ndërmarrjes shtetërore për ndërtimin e rrugëve.

Përskaj kësaj shume janë siguruar edhe afër 20 milionë euro nga Korniza investuese për Ballkanin perëndimor me çka pritet që vlera e punimeve të arrijë në 130 milionë euro. Të gjitha punimet në projekt pritet të përfundojnë në një afat prej 48 muajsh pas ndarjes së marrëveshjes së parë për punët ndërtimore për pjesën e parë të huas që do të jetë me vlerë prej afër 42 milionë euro. Pjesa e dytë e huas do të ketë vlerë prej 68 milionë euro. Projekti i ndërtimit të autostradës Gostivar-Kërçovë ndahet në tre faza dhe atë aksi rrugor Bukojçani-Kërçovë, Gostivar-Gjonovica e Epërme dhe faza e tretë është Gjonovica e Epërme-Bukojçani. Pjesa Bukojçani-Kërçovë është e parashikuar të ndërtohet si e pjesë e pavarur e autostradës A2 Gostivar Kërçovë, që mund të realizohet dhe të funksionojë përkundër ndërtimit të fazave të tjera. Njëherësh projekti parashikon që për shkak të terrenit kodrinor të ndërtohet edhe tuneli i Kolibarës tek vendi Veli Kamen me dy gypa për çdo drejtim të komunikacionit.

Ky aks rrugor përfshin edhe ndërtimin e dy urave tek lumi i Zajazit, dhe një urë tek lumi Sushicë tregon analiza e Ndërmarrjes së Rrugëve për ndikimin ndaj ambientit. “Pjesa e Korridorit VIII Evropian (rruga shtetërore A2) nga Gostivari deri në Kërçovë aktualisht është ndërtuar si një rrugë e vetme me dy korsi në të dy drejtimet, dhe në vende të qafave malore, ekziston një korsi e tretë për automjete të ngadalshme. Mirëpo, për shkak të rritjes së intensitetit të trafikut dhe kushteve të dobët për vozitje-dinamike që janë projektuar 50 vite më parë, është e pashmangshme të mbi ndërtohet kjo rrugë në nivelin e një zgjidhjeje moderne të autostradës përmes së cilës do të zhvillohet transport u shpejtë, i sigurt dhe i papenguar dhe i pandërprerë ndërkombëtar dhe vendor i udhëtarëve dhe mallrave“, thuhet në arsyetimin e këtij propozim ligji.

Tre ditë më parë kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ministrat e financave dhe transportit, Fatmir Besimi dhe Bllagoj Boçvarski, si dhe drejtori i Ndërmarrjes së Rrugëve, Ejup Rustemi, realizuan takime pune me menaxhmentin e kompanisë “Behtel Enka”, ku u bisedua se deri ku gjendet realizimi i Memorandumit për ndërtimin e korridorit tetë, për aksin rrugor Tetovë-Gostivar-Bukojçani, si dhe për projektet e ndërtimit të autostradave Trebenishtë-Strugë-Qafë e Tahnës dhe Prilep- Manastir.

Paraprakisht në muajt e verës, të zgjedhurit e popullit dhanë përkrahje për memorandumin me të cilin i mundësohet qeverisë që pa tender, por me marrëveshje direkte, t’i mundësojë kompanisë Behtel-Enka të ndërtojë autostradat përgjatë korridorit tetë si dhe atë të Pellagonisë. Përderisa po pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, qeveria po saktëson draftin e marrëveshjes për ndërtimin e autostradës në marrëveshje direkte me kompaninë turke-gjermane, për çka deputetët miratuan edhe ligj të veçantë. Antikorrupsioni ka kontestuar ligjin special për ndërtimin e autostradave nën arsyetimin se ai po mbart rrezik të korrupsionit, ekziston konflikt interesash dhe po suspendohet sistemi juridik në shtet. Nga Gjykata Kushtetuese thonë se nisma për ligjin është në procedurë, por akoma nuk dihet se kur Gjykata do të del me qëndrim për këtë kontestim të antikorrupsionit dhe mosmarrëveshjeve lidhur me zgjedhjen e realizuesit të punimeve pa marrëveshje me palët e tjera eventuale të interesuara.

“Përderisa po zgjat procedura për të fituar mendimin e Gjykatës Kushtetues, që e ka kërkuar Komisioni Antikorrupson, në interes të kohës ekzistojnë dispozita të memorandumit që mundësojnë punë dhe saktësimin të draft marrëveshjes që duhet të miratohet nga të dyja palët, me qëllim që të përmbyllet procedura juridike që do të mundësojë realizimin e projekteve të parashikuara infrastrukturore”, thonë nga pres shërbimi qeveritar. Kryeministri Zoran Zaev kohë më parë theksoi se modele të tilla të ndërtimit janë realizuar edhe në Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë, teksa pritet të shkurtohet për 50 për qind koha e projektimit dhe realizimit, mirëpo duke shtuar se do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në ndërkohë, është zgjatur afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë–Ohër deri në vitin 2025 dhe nuk janë lëshuar akoma as 20 kilometrat e para të premtuara para Ohrit dhe Strugës në një terren të drejtë dhe të rrafshët.

Ndryshe, korridori tetë kalon me gjatësi prej 305 kilometrash në territorin e Maqedonisë së Veriut prej kufirit me Shqipërinë-vend kalimi kalimit kufitar Qafa e Thanës deri në kufirin me Bullgarinë, apo deri në vend kalimin kufitar Deve Bair. (koha.mk)

Të fundit