15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Aziri: Opsioni real është NATO dhe BE, opsionet tjera janë keqpërdorim i qytetarëve për interesa të tjera

Duhet të synojmë rrugën tonë në BE. Kjo është pista dhe rruga jonë. Çdo refuzim apo mospërkrahje në këtë rrugë do të dëmtojë atë që kemi arritur, deklaroi sot deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri në seancën e Komisionit për Çështje Kushtetuese.

“Pa kohezion nuk do të kemi rend shtetëror. Fatkeqësisht, sot ne demonstrojmë mungësë kapaciteti për të marrë përgjegjësi. Çështjet që janë më të vështira zgjidhen gjithmonë me kompromise produktive dhe ne jemi gati për këtë, por fatkeqësisht ata që sot improvizojnë luftime false për identitetin e tyre nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë për ne. Uashingtoni dhe Brukseli janë dy qendrat më të mëdha dhe synimet tona duhet të drejtohen drejt tyre. Identiteti ushqehet në institucionet, ndërsa legjitimitohet në nivel ndërkombëtar”, tha Aziri.

Ai theksoi se opsioni real në përputhje me tendencat historike është NATO dhe BE, ndërsa opsionet e tjera, sipas tij, janë vetëm demonstrim i keqpërdorimit të qytetarëve për interesa të tjera.

“Opsioni real në përputhje me tendencat historike është pikërisht ky – NATO dhe BE, Uashingtoni dhe Brukseli. Opsionet e tjera janë vetëm demonstrim i keqpërdorimit të qytetarëve për interesa të tjera. Brukseli ka njoftuar se nuk ka ndërhyrje në kuadrin e negociatave dhe Uashingtoni gjithashtu. Ata dhanë garanci se nuk do të ketë pengesa të tjera nga ana e Bullgarisë dhe për këtë arsye frika që nxitet te qytetarët nuk është reale. Në çdo proces historik populli ka pasur krizë identiteti, sepse tradita është ndërprerë në raport me drejtimet historike. E kuptoj ndjeshmërinë për hir të identitetit, por dalëngadalë, dita-ditës, çdo komb do të gjejë rrugën për të konsoliduar identitetin e tij. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për kohën në të cilën jetojmë. Vendimet negative do të na çojnë në dimensione të tjera, të cilat ne si vend mund të mos kemi kapacitet t’i kapërcejmë. Ata që e refuzuan propozimin ishin kundër Marrëveshjes së Ohrit, kundër decentralizimit, kundër ligjit të decentralizimit fiskal dhe fatkeqësisht vazhdojnë të jenë kundër të gjitha opsioneve demokratike, të cilat janë në përputhje me vlerat evropiane”, tha ai.

Aziri thekson se në opinion krijohet konfuzion dhe përdoret terminologji, e cila shkakton kaos, që sipas deputetit është larg realitetit.

“Unë si shqiptar nga Maqedonia e Veriut, nuk do të kërkoj asgjë më shumë nga bashkëqytetarë e mi maqedonas, përveç asaj që po bëj tashmë për të mbrojtur identitetin e popullit maqedonas dhe të njëjtën ta bëjnë edhe për ne shqiptarët. Besoj se nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë realitetin. Dikush që pretendon ta refuzon këtë realitet, ajo është diçka tjetër”, tha deputeti Aziri.

Të fundit