BDI reagon se deklarata e Kryeministrit Mickoski në Kuvend, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe dhe e vlerëson si një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Pretendimi se gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, por se gjuha zyrtare është vetëm maqedonishtja, nuk është thjesht një deklaratë politike, është një rikthim i drejtpërdrejtë në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991, dhe nenin e dikurshëm 7 të saj
duke injoruar Amendamentin V të vitit 2001, i cili është themel i rendit kushtetues dhe i balancës ndëretnike në vend – thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas integristëve, ky qëndrim cenon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk është kompromis simbolik, por arkitekturë reale e bashkëjetesës, e ndërtuar për të kapërcyer pikërisht burimet e konfliktit që prodhoi Kushtetuta e vitit 1991.
“Relativizimi i statusit të gjuhës shqipe nuk është çështje interpretimi, por hapje e një rruge të rrezikshme që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe funkcionalitetin e demokracisë sonë multietnike.
Kjo qasje përfaqëson një kthim prapa dhe një tentativë për revizion të arritjeve themelore të shtetit, të frymëzuar nga logjika që janë në kundërshtim me konceptin e një shteti multi-etnik dhe demokratik” – reagojnë nga BDI.
BDI I bën thirrje Kryeministrit që të tërhiqet menjëherë nga kjo qasje dhe të respektojë në mënyrë të plotë rendin kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit.
Çdo devijim nga ky rend, sipas BDI-së, nuk është vetëm gabim politik, është goditje ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe funksionalitetit të shtetit.







