26/05/2024
13.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bekim Sali me letër lamtumirëse: Nuk isha ministër por shërbëtor i qytetarëve, ashtu do mbetem

Bekim Sali, tanimë ish ministër i shëndetësisë, përmes një letre kushtuar qytetarëve dhe aktivistëve të Alternativës, ka njoftuar për përfundimin parakohe të mandatit të tij si ministër ndërsa shprehet se çdo fillim e ka një fund dhe vjen dita që duhet të përshëndetesh me njerëzit që të mbështesin dhe me punën që ke kryer, informon Zhurnal.

Bekim Sali ka dëshiruar të falenderojë të gjithë kolegët e partisë si dhe ekipin me të cilin ka drejtuar ministrinë.

Sali shpreson që të mbahet mend për punën e bërë, për transparencën dhe sukseset. Ai përmendë se resorin e shëndetësisë e kishte marë mbi supe pas tragjedisë në Tetovë dhe pas pandemisë me Covid por gjithsesi tani në përfundim të mandatit, ai krenohet me punën e bërë.

Ai potencon që ka patur gjithashtu sfida dhe probleme në menaxhimin me shëndetësinë, për shkaqe politike, ekonomike e tjera por thotë se nuk është marë me to.

Sali premton se do të vazhdojë të shërbejë për qytetarët dhe t’i ndihmojë aq sa di dhe aq sa mundet.

“Bekimi ka qenë shërbëtor edhe kur ka qenë ministër dhe do të mbetet shërbëtor edhe kur nuk është ministër”, thotë Sali.

“Të nderuar qytetarë, kolegë të respektuar dhe ju të dashur aktivistë të Alternativës,
Më në fund, sot edhe zyrtarisht përfundoi mandati im njëvjeçar si ministër i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut. Ashtu si secila punë që ka fillim e fund, edhe këto detyra të përkohshme shoqërore që i marrim, vjen një ditë që t’i dorëzojmë dhe të përshëndetemi jo vetëm më detyrën, por edhe me njerëzit që na kanë mbështetur, si edhe me punët që i kemi bërë deri në atë moment.
Prandaj, po e bëj këtë postim që ta falënderoj fillimisht kryetarin Afrim Gashi për besimin që ma dha për ta drejtuar këtë ministri, por edhe të gjithë kolegët e Alternativës, të cilët besuan te unë. Ju faleminderit Kryetar dhe ju faleminderit Alternativë!
I falënderoj këtu edhe kolegët e miqtë e mi, Admirimin e Xhemalin, si ministra, si dhe Lulzim Aliun dhe Abdylshqyr Abedinin, si zëvendësministra, me të cilët bashkërisht jemi përpjekur t’i shtyjmë politikat tona në qeveri. Gjatë këtij njëvjeçari ne kemi qenë sup për njëri-tjetrin dhe unë mbetem mirënjohës gjithmonë.
Dua ta falënderoj edhe ekipin me të cilin e kemi drejtuar këtë ministri. Te ata kam gjetur mbështetjen, vetëmohimin dhe sakrificën që këtë detyrë ta bëjmë me sukses. Nuk po i përmend me emra, sepse janë më shumë, por të gjithë që kanë pasur punë në Ministrinë e Shëndetësisë ose në cilindo spital të vendit dhe janë drejtuar në kabinet, i njohin mirë kush janë ata. Ju faleminderit të gjithëve!
I falënderoj edhe të gjithë nëpunësit e tjerë të Ministrisë me të cilët kemi pasur bashkëpunim korrekt, drejtorët e klinikave dhe spitaleve për respektin e ndërsjellë, si dhe mjekët e cilitdo nivel me të cilët kemi pasur komunikim e bashkëpunim të shkëlqyer. Ju faleminderit!
Secili nga ne në jetë mbahet mend për diçka, ndërsa unë uroj që për këtë një vit qeverisje të mbahemi mend për punë, transparencë dhe suksese. Ne e morëm Ministrinë e Shëndetësisë pas letargjisë së pandemisë dhe pas trazimit të Ministrisë, që kishte ndodhur pas fatkeqësisë në Spitalin e Tetovës. Ndonëse gjetëm në zbrazëti institucionale, ne për një vit kemi lënë pas vetes projekte me të cilat unë do të mburrem gjithmonë, por besoj se edhe mjekët, pacientët e qytetarët do t’i vlerësojnë. Këtu nuk po i radhis, sepse nuk është vendi, por besoj se kur një pacient në Spitalin e Tetovës do ta gjejë specialistin në spitalin e qytetit të tij, një pacient i Ohrit do ta bëjë diagnostifikimin në vendin e tij dhe një pacient i Shkupit do ta gjejë shërbimin në pikën më të afërt spitalore dhe për këtë do të jenë të lumtur, ne do të jemi të përmbushur se kemi lënë një gjurmë në këtë resor.
Po ashtu, jam i përmbushur se megjithatë kemi lënë disa shenja në përmirësimin e kushteve spitalore, në zgjerimin e programeve studimore, në përkryerjen akademike të stafit profesional, në rritjen e pagave për punonjësit shëndetësor, si dhe për zgjidhjen autentike që e dhamë për reformimin e plotë të sistemit shëndetësor, madje pa asnjë cent nga qytetarët.
Në këtë rrugë, sigurisht se ka pasur edhe plot sfida, sulme të nduarnduarta, të motivuara politikisht, ekonomikisht dhe ku ta di çfarë. Meqë karvani duhej të ecte, nuk kam pasur kohë të merrem me to, por do të vijë koha kur edhe ata do ta marrin përgjigjen e tyre. Sepse e drejta vonon, por nuk harron.
Duke besuar se jeta jonë është një udhëtim dhe një mundësi, unë e falënderoj Zotin që ma dha ketë mundësi të shërbej dhe lutem që këtë detyrë ta kem kryer me sukses e dinjitet.
Meqë, siç e kam thënë edhe më parë, për mua nuk është me rëndësi pozita, sepse krejt kjo është shërbim për qytetarët, unë do të vazhdoj të shërbej dhe të ndihmoj aq sa di, aq sa mundem dhe aq sa kam fuqi për të mirën e qytetarëve. Sigurisht, qytetarët janë ata që e vlerësojnë punën tonë.
Bekimi ka qenë shërbëtor edhe kur ka qenë ministër dhe do të mbetet shërbëtor edhe kur nuk është ministër.
Gjithmonë në shërbimin tuaj!
I juaji!
Bekim Sali”

Të fundit