19/04/2024
4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bekteshi: Nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për amvisëritë nga 1 janari, mund të ketë lirim për kompanitë

Qytetarët nuk do të kenë rritje të faturave të energjisë elektrike nga 1 janari, ndërsa kompanitë me shumë mundësi do të kenë ulje të faturave, tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Për TEC Negotinë, i cili punon me mazut, ai tha se aktualisht nuk funksionon për shkak se është më lirë importimi i energjisë elektrike, transmeton Portalb.mk.

“TEC do të funksionojë kur të jetë fitimprurëse. Nëse marrim parasysh çmimin e mazutit për momentin, çmimi i prodhimit të energjisë elektrike për megavat orë nga TEC Negotinë është diku nga 240 deri në 245 euro dhe nëse importojmë javën e kaluar kemi importuar me 205 euro për megavat orë, flas për çmim mesatar, jo per ditor, javor, mujor. Aktualisht është më lirë të importosh rrymë sesa të punojë TEC Negotina. Në momentin kur do të jetë e kundërta, kapaciteti do të vihet menjëherë në funksion. Kemi stoqe edhe me mazut dhe tashmë janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që të vihet në përdorim vazhdimisht gjatë sezonit të ngrohjes. Qytetarët të jenë të qetë, janë bërë të gjitha përgatitjet, do të furnizohen vazhdimisht me energji elektrike. Po bëhen llogaritë se nga 1 janari nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe me gjasë do të ketë ulje për konsumatorët e vegjël”, tha Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të një ngjarjeje biznesi në Shkup.

Ndryshe, autoritetet thonë se kursimi është më se i nevojshëm pasi Maqedonia e Veriut është e varur nga importi i energjisë elektrike.

Te dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se Maqedonia e Veriut, me 1.8 milion banorë, importon një të tretën e energjisë elektrike që i nevojitet. Në vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut janë konsumuar 7.906 gigavat orë energji elektrike, ndërsa janë prodhuar 5.285 gigavat orë.

Të fundit