Një grua është plagosur pasi është qëlluar me dy plumba në kraharor nga burri i saj të mërkurën në fshatin Perqevë të Klinës.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke mes çiftit, ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Rasti është raportuar në Stacionin Policor në Klinë nga vet i dyshuari A. G. i cili ka deklaruar që kishte plagosur me armë zjarri bashkëshorten e tij E. G. duke e qëlluar viktimën me dy plumba në krahërorë, pas një zënke që çifti kishin në mes vete”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Gjatë kohës që familjarët ishin duke e dërguar viktimën për trajtim mjekësor, të njëjtit kanë pasur një aksident trafiku duke humbur kontrollin mbi automjetin me të cilin ishin duke lëvizur dhe kanë dalur jashtë rrugës.
Viktima e rastit më pas është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
“Në aksident janë lënduar dy persona. Viktima e rastit është dërguar me ambulancë në Spitalin Regjional të Pejës, ndërsa dy të lënduarit në aksident janë dërguar në QMF në Klinë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Pejës.
Njësitet kompetente të Policisë së Kosovës që kishin dalë në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar një armë zjarri me të cilën dyshohet që është plagosur gruaja.
Me urdhër të prokurorit, burri i saj është dërguar në mbajtje.News33.