Të tjera lajme

Busti i Josif Bagerit do të vendoset në parkun pranë Komunës së Gostivarit

Në parkun e vogël pranë ndërtesës së pushtetit lokal në Gostivar do të vendoset busti i Josif Bagerit, figurë kulturore, shqiptar ortodoks, me origjinë nga Reka e Epërme. Vendimi u votua në seancën e sotme të këshillit komunal, në kuadër të Programit për përkujtimin e ngjarjeve të rëndësishme dhe personave të dalluar me memorialë.

“Të gjithë e dimë se kush ka qenë Josif Bageri dhe cila është rëndësia e punës së tij. Busti, i cili është planifikuar të vendoset në parkun pranë komunës, është dhuruar nga një donator”, tha Aslian Snopçe, përgjegjëse e Sektrit për Arsim.

Këshilltari nga BDI, Lekë Dalipi ka reaguar se teksti i Programit nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar ndryshimin e tij.

“Unë nuk jam kundër vendosjes së monumentit, por mendoj se teksti i Programit është tendencioz. Aty në vend të shqiptarëve shkruan “pjesë e popullit shqiptar”. Kjo ka qenë retorika e para 2001, ne nuk jemi “pjesë”, jemi shqiptarë. teksti duhet të ndryshojë dhe duhet të shkruhet sipas Kushtetutës”, tha Dalipi.

Kryetari i Këshillit, Valbon Limani, u propozoi këshilltarëve që të hidhet në votim pika dhe përveç kësaj të bëhen ndryshime në atë pjesë dhe të ndryshohet teksti siç është shkruar në Kushtetutë. Vendimi u miratua me shumicë votash. Në këtë pikë abstenuan këshilltarët nga LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Josif Bageri, i lindur më 1870 në Nistrovë të Rekës së Epërme, i martuar me Vasilka Boshkovën, konsiderohet si një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare. Si poet dhe edukator punoi në Sofje, Dibër, Shkup, Durrës dhe Prishtinë, ku edhe vdiq në vitin 1916. FLAKA

Të fundit