Të tjera lajme

Çmimore e re për kyçje në rrjetin e ujësjellësit

Në seancën e fundit të këshillit të Komunës së Tetovës është miratuar çmimorja e re për kyçje në rrjetin e ujësjellësit. Ky vendim ka hyrë në fuqi me iniciativë të kësaj ndërmarrje për të vendosur rend gjatë kyçjeve, për shkak se për një kyçje në rrjetin e ujësjellësit edhe qytetarët edhe bizneset kanë paguar pothuajse të njejtin çmim, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri është shprehur se kjo çmimore vendos barazi për të gjithë qytetarët e Tetovës për kyçje në ujësjellës dhe për pagesën sipas konsumit të ujit. Sipas tij, me këtë vendim nuk ka më manipulime për investitorët të cilët në të kaluarën paguanin njësoj si një qytetar i thjeshtë që ndërtonte një shtëpi, ndonëse kishte ndërtuar objekt shumëkatësh.Tash, ndërtuesi do të duhet të paguajë kyçje për çdo banesë. “Deri më tani edhe ndërtuesit kanë paguar sikurse qytetarët. Pra, qytetarët kanë paguar për kyçje në ujësjellës dhe kanalizim nga 800 deri në 900 euro. Ndërkohë, për ndërtesat shumëkatëshe, ndërtuesi ka paguar 1500 euro për kyçje në ujësjellës dhe 1500 euro për kanalizim, pra rreth 3 mijë euro. Kjo aspak nuk ka qenë e barabartë pasi është barazuar qytetari me investitorin” deklaroi Zeqiri. Ai më tej tha se investitori krahas pagesës për kyçje do të paguajë edhe për vendosjen e ujëmatësit. “Do të duhet të paguajnë për çdo banesë veças pra do të paguhet si kyçje individuale . Krahas kësaj do të paguhet edhe për vendosjen e një ujëmatësi. Tetova është ndër qytetet e vetme në vend që nuk e ka rregulluar këtë çështje dhe prej tash e tutje besoj se secili do të paguajë në bazë të investimi” deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri. Deri më tani nuk ka patur një çmimore e cila do të ndante kategoritë e qytetarëve që kërkojnë kyçje në sistemin e ujëjsellësit. Efektet e mos pasjes së kësaj çmimore kanë shkaktuar edhe probleme shtesë lidhur me furnizimin normal me ujë të pijshëm. Krahas kësaj, prej fillimit të këtij viti, çdo lidhje e paligjshme dhe çdo formë keqpërdorimi të ujit do të sanksionohet sipas ligjit. Dënimi për amvisëri dhe persona fizik është nga 500 deri në 2000 euro, ndërsa dënimi për biznese, persona juridik, si dhe ndërtues të ndërtesave banesore që kryejnë kyçje ilegale dënimi është deri në 5000 euro.

Të fundit