Me bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës që do të zhvillohen në Turqi këtë javë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka insistuar në integritetin territorial të vendit të tij, pasi më herët sugjeroi se ishte gati për një kompromis. Një zyrtar i lartë ukrainas tha se nuk pret ndonjë përparim të madh nga bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të mbahen në Turqi. “Nuk mendoj se do të ketë ndonjë përparim të madh në çështjet kryesore”, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Vadym Denysenko. Ukraina akuzon Rusinë se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë nga qyteti i shkatërruar në zonat e kontrolluara nga Rusia. Ndërkohë kjo e fundit ka mohuar çdo detyrim, por ka raportuar evakuime nën përcjelljen ruse. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se nuk ndihmon kurrë ndonjë evakuim të detyruar dhe ka mohuar çdo plan për të ndihmuar Rusinë të “filtroj” refugjatët ukrainas nga Mariupoli, transmeton Portalb.mk.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar ligjin që kufizon shpërndarjen e informacioneve lidhur me ushtrinë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, që aktualisht është në fuqi. Kushdo që e shkel këtë ligj mund të dënohet deri me 12 vjet burgim.
Sipas dokumentit, ndalohet incizimi i lëvizjeve të personelit ushtarak, vendeve të granatimeve, emrat e rrugëve, ndalesat rrugore, dyqanet dhe fabrikat e tjera civile dhe ushtarake, transmeton REL.
Ligji, që është nënshkruar nga presidenti Zelensky gjatë fundjavës, po ashtu ndalon publikimin e të dhënave lidhur me lëvizjen e ndihmës ushtarake nga shtetet e huaja.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka biseduar dje me homologun e tij ukrainas, Denis Shmigal, të cilit i ka thënë se vendi është i gatshëm të pranojë qytetarët ukrainas nëse kërkojnë strehim të përkohshëm për shkak të agresionit rus në vendin e tyre.
“Ia përcolla se bashkëndjejmë me Ukrainën dhe në të njëjtën kohë admirojmë guximin me të cilin ukrainasit po mbrojnë lirinë e tyre dhe sovranitetin e vendit. I thashë kolegut tim Shmigal se Maqedonia e Veriut është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe NATO-s dhe është në koordinim të vazhdueshëm për të mbështetur Ukrainën. Jemi të gatshëm të pranojmë qytetarët e Ukrainës nëse ata kërkojnë strehim të përkohshëm në vendin tonë dhe jemi në kontakt për të gjitha aktivitetet e ardhshme për mbështetje dhe ndihmë. Kryeministri Shmigalj falënderoi në emër të qytetarëve të Ukrainës për mbështetjen dhe ndihmën e deritanishme”, njoftoi Kovaçevski.
OKB-ja njoftoi se në luftën Rusi-Ukrainë të paktën 1.119 civilë kanë humbur jetën, 1.790 të tjerë janë plagosur ndërsa 3.821.049 refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.
Në një deklaratë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) janë ndarë të dhëna të marra nga burime ndryshme lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë.
Sipas UNHCR-së, që nga data 24 shkurt deri më 26 mars gjithsej 3.821.049 refugjatë kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni.
Vendet fqinje ku ukrainasit kanë kaluar më shumë janë Polonia (2.267.103), Rumania (586.942), Moldavia (381.395), Hungaria (349.107) dhe Sllovakia (272.012). Në njoftimin e UNHCR-së po ashtu thuhet se për periudhën 21-23 shkurt nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi 50 mijë njerëz.
Disa shtete gjermane kanë njoftuar se përdorimi publik i simbolit “Z”, që po përdoret për të shprehur mbështetjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, do të ndëshkohet me ligj.
Senatorja Iris Spranger nga Berlini tha për gazetën Tagesspiegel se përdorimi i simbolit “Z”, që është parë në makinat ushtarake ruse, “natyrisht se do të thotë mbështetje e luftës së agresionit”.
Përdorimi i këtij simboli, sipas saj do të dënohet me ligj. Ajo iu referua një neni të Kodit Penal, që në rast se dikush e shkelë të njëjtin, mund të dënohet deri në tre vjet burgim apo të gjobitet.
Po ashtu Lower Saxony dhe Bavaria kanë njoftuar për dënime lidhur me përdorimin e këtij simboli.
“Ne nuk pranojmë miratimin e krimeve dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar”, tha për Dpa ministri i Drejtësisë së Bavarisë, Georg Eisenreich.