12/10/2024
15.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dita e dytë e fushatës, partitë në takime me qytetarë me respektim të masave të mbrojtjes

Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet parakohshme parlamentare, partitë dhe koalicionet do ta prezantojnë ofertën e tyre politike në takime me qytetarë, duke i respektuar masat për mbrojtje nga Covid-19. Nuk do të mungojë fushata edhe në rrjetet sociale, si dhe në mediumet tradicionale.

Në ditën e dytë të fushatës 20-ditëshe zgjedhore, karvani i koalicionit “Mundemi” kryesuar nga LSDM do të jetë në Ohër dhe Butel, përderisa koalicioni i VMRO-DPMNE-së “Për ripërtëritje të Maqedonisë” aktivitetet zgjedhore do t’i prezantojë para qytetarëve të Vevçanit, Strugës, Resnjës, Kumanovës, Shkupit, Gjevgjelisë, Ohrit dhe Gostivarit.

Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa sot do të mbajnë konventa promovuese për kandidatë për deputetë në Tetovë.

Dje, në ditën e parë të fushatës zgjedhore, presidenti Stevo Pendarovski porositi se procesi zgjedhor dhe zgjedhjet duhet të mbahen sipas standardeve dhe kritereve të larta, duke e pasur parasysh perspektivën euroatlantike të vendit.

Ai u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor të kontribuojnë që këto zgjedhje të jenë të drejta, të lira dhe demokratike, siç edhe u obliguan me nënshkrimin e Kodit për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Në ditën e parë të fushatës partitë dërguan disa porosi parazgjedhore për qytetarët, duke bërë thirrje për dalje masovike, duke mos i evituar me atë rast, përplasjet ndërpartiake.

Partitë dhe koalicionet të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, programet e tyre do të mund t’i prezantojnë deri më 12 korrik në orën 24:00 kur përfundon fushata zgjedhore.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të parashtruara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1.598 kandidatë.

Fushata parazgjedhore do të zgjasë deri më 12 korrik në mesnatë./Telegrafi/

Të fundit