21/05/2024
15.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Do t’i jepet fund prerjes ilegale të druve

Në të ardhmen pritet të ketë aktivitete me qëllim të zhvillimit të turizmit malor, siç janë adaptimi i shtëpive brenda parkut kombëtar për bujtina që do të shfrytëzohen nga turistët, zhvillimi i turizmit, pra ngjitje në majat e Malit Sharr nga grupe të organizuara, zhvillimi i agrokulturës, agroturizmi dhe aktivitete tjera pas fillimit të investimeve në Kodrën e Diellit

Nëse në të kaluarën, Mali Sharr është shkatërruar si pasojë e prerjes ilegale të druve, problemi më i madh është se vetëm 4 për qind kanë paguar taksë për prerjen e druve, kurse pjesa tjetër apo 96 për qind është prerje ilegale.
Pas shpalljes së Malit Sharr për Park Kombëtar, kishte shumë paqartësi rreth banorëve që përfshihen në ato zona se si do të veprojnë me prerjen e druve për ngrohje. Së këndejmi nga Ndërmarrja Publike “Parku Kombëtar Mali Sharr” sqarojnë se qytetarët që janë rezident dhe që janë pjesë e parkut kombëtar mund të bëjnë kërkesa dhe të marrin leje në këtë ndërmarrje për të prerë dru me çmim simbolik. Nëse në të kaluarën banorët që janë rezident në Parkun kombëtar kanë paguar 2200 denarë për një metër kub dru në pronë shtetërore tash paguajnë 800 denarë. Në pronë private në parkun kombëtar një metër kub dru i prerë kushton 280 denarë. Kjo vlen vetëm për banorët rezident dhe ata që kanë prona në parkun kombëtar. Janë gjithsej 27 fshatra që bëjnë pjesë në kuadër të parkut kombëtar të Malit Sharr nga gjithsej 7 komuna edhe atë, Jegunoc, Tearcë, Tetovë, Bogovinë, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Gostivar. Tashmë, prerja ilegale është tërësisht e ndaluar, kurse edhe prerja për nevoja industrial dhe për shitje apo tregti gjithashtu mbetet e ndaluar. Problem në vete është se me ardhjen e pranverës gjithnjë e më shumë shtohen zjarret në Malin Sharr. “Prandaj, nga kjo ndërmarrje njoftuan se Ndalohet rreptësishtë djegia e kashtës, barërave të këqija dhe mbeturinave të tjera në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr. Ditëve të kaluara janë regjistruar disa zjarre në ataritë e fshatrave të Parkut Kombëtar, kryesisht si pasojë e djegies së kashtës dhe barërave të këqija. Si përkujtim, për këtë aktivitet të kundërligjshëm, Ndërmarrja Publike Parku Kombëtar në Malin Sharr është duke vendosur tabela, ndërsa ndaj atyre që nuk e respektojnë këtë rekomandim, shërbimi i rojës së Parkut Kombëtar do të marrë masa konform ligjit. Kujtojmë se gjoba për këtë lloj aktiviteti është nga 6.000 deri në 8.000 euro për personat juridikë dhe nga 1.500 deri në 3.000 euro për personat fizik, njoftuan nga kjo parku kombëtar. Gjithsesi, në parkun kombëtar janë të ndaluara edhe shumë aktivitete tjera”, thotë Ibrahim Dehari, drejtor i parkut kombëtar në Malin Sharr.
Në të ardhmen pritet që të ketë aktivitete me qëllim të zhvillimit të turizmit malor, siç janë adaptimi I shtëpive brenda parkut kombëtar për bujtina që do të shfrytëzohen nga turistët, zhvillimi i turizmit, pra ngjitje në majat e Malit Sharr nga grupe të organizuara, zhvillimi i agrokultura, agroturizmi dhe aktivitete tjera pas fillimit të investimeve në Kodrën e Diellit.Urim HASIPI

Të fundit