Të tjera lajme

Durmishi: Po ndërtojmë politika që lidhin arsimin me nevojat e biznesit

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në seancën e Këshillit Ekonomik-Social, ku u miratua Programi Vjetor i Punës për vitin 2026 dhe u diskutuan çështje kyçe që lidhen me zhvillimin ekonomik, tregun e punës dhe arsimin.

Në fjalën e tij, ministri Durmishi theksoi se prioritetet e Këshillit për vitin e ardhshëm do të përqendrohen në politikat e punësimit, pagën minimale, shportën konsumatore, marrëdhëniet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Gjatë seancës u shqyrtuan edhe Propozim-ligji për Arsimin e Lartë dhe Propozim-ligji për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë. Sipas ministrit Durmishi, këto reforma janë të rëndësishme sepse forcojnë lidhjen ndërmjet sistemit arsimor dhe nevojave reale të tregut të punës.

“Ekonomia moderne ka nevojë për kuadro të përgatitura, me njohuri bashkëkohore dhe aftësi praktike. Për këtë arsye, harmonizimi i arsimit me kërkesat e tregut të punës është një nga parakushtet kryesore për rritjen e punësimit të të rinjve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, deklaroi ministri Durmishi.

Ai nënvizoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbështet çdo reformë që kontribuon në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe krijimin e një ekonomie më konkurruese.

Në përfundim, Durmishi theksoi se Këshilli Ekonomik-Social mbetet mekanizmi më i rëndësishëm për dialog ndërmjet Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve, duke vlerësuar se vetëm përmes partneritetit dhe politikave të përbashkëta mund të sigurohet rritje ekonomike e qëndrueshme dhe përmirësim i standardit të jetesës së qytetarëve.

Të fundit