24/10/2024
11.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

E konfirmon Policia, nis hetimi për pamfletet kërcënuese në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar nisjen e një hetimi lidhur me pamfletet kërcënuese të shpërndara në veri të vendit.

Sipas konfirmimit të zëvendësdrejtorit të policisë për veriun, Veton Elshani, pamfletet kanë përmbajtje urrejtjeje dhe janë identifikuar në disa lokacione në veri.

Rasti është iniciuar nga Prokuroria Speciale si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”.

Elshani për Dukagjinin, ka theksuar se, për momentin, nuk ka të dyshuar ose të arrestuar në lidhje me këtë rast.

“Konfirmojmë se në disa lokacione në veri të vendit kemi has në pamflete me përmbajtje të urrejtjes dhe me urdhër te prokurorisë speciale rasti iniciohet si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”. Nuk kemi të dyshimtë e as të arrestuar. Policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, ka thënë Elshani.

Këto pamflete me mbishkrime kërcënuese raportohet se janë shfaqur mbrëmjen e së enjtes në veri të vendit, një ditë pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale për rastin e Banjskës.

“Të gjithë jemi Milana dhe vëllezër nga Banjska, ju okupatorë në ne zgjoni egërsinë, ju presim në veri”, thuhet në pamfletet e vendosura në veri sipas raportimeve.

Përveç kësaj, krahas fotografive të publikuara bëhet thirrje edhe që ushtria serbe të kthehet në Kosovë.

Fotografitë ku shihen pamflete të tilla janë postuar në rrjetin social Telegram, nga kanali serb “Koridor”.

Po ashtu, këto pamflete vijnë edhe pas paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për “masa serioze” ndaj Kosovës brenda 72-orësh.

Prokuroria Speciale dy ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj rastit terrorist të Banjskës. Në këtë rast të përfshirë janë 45 serbë, në mesin e tyre kryekrimineli Millan Radojoçiq.

Të fundit