06/05/2024
11.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

EDITORIAL/ Viti i ri shkollor i shoqëruar me krizë energjetike dhe ekonomike, si do t’ia dalim?

Gjatë ditës së nesërme duhet të rikthehen nxënësit nëpër shkolla, por sa do jenë të përgatitura shkollat për t’i pritur nxënësit dhe për ta filluar mbarë këtë vit shkollor! Sfidat që i presin shkollat janë shumë të mëdha, qoftë për paralajmërimet me mungesën e energjisë elektrike, qoftë me masat kundër Covid 19, por edhe për problemet e vjetra siç janë mungesë e klasave dhe mungesë e sallave sportive.

Mësimi fillon me prezencë fizike, s’ka frikë nga Covid 19

Arsimi vazhdon të jetë ndër sfidat kryesore në Maqedoninë e Veriut. Nxënësit do ta ndjekin këtë vit akademik me prezencë fizike nëpër shkolla dhe për momentin nuk ka mundësi për mbajtjen e mësimeve online. Në rast të krizave të mundshme të çdo lloji, shëndetësore, energjetike apo mjedisore, qëndrimi i Ministrisë së Arsimit është se shkollat do të mbyllen të fundit dhe do të hapen të parat.

Një numër prindërish po ndajnë shqetësimet në mediat sociale për pandeminë e vazhdueshme të koronavirusit dhe krizën e energjisë. Në familjet që kanë pasur raste më të rënda të Covid-19, ku ka anëtarë të ndjeshëm ose të sëmurë, prindërit kanë frikë se fëmijët do ta kthejnë virusin në shtëpitë e tyre.

Hapen 265 klasa të reja në shkencat natyrore

Ministria e Arsimit ka njoftuar se përveç granteve të rregullta, në dy vitet e fundit kanë investuar edhe në përmirësimin e kushteve në shkolla, për çka në buxhetin e Ministrisë janë paraparë një miliard denarë për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave, salla sportive etj., që është dy herë më shumë se në vitet e kaluara dhe ato mjete janë realizuar.

Maqedonia e Veriut mbështetjen më të madhe për pajisje e ka marrë nga Banka Botërore, e cila është financuese e një projekti për përmirësimin e arsimit fillor me vlerë 21.5 milionë euro, i cili në 5 vitet e ardhshme do të sigurojë disponueshmëri më të shpejtë dhe më të madhe të parave për shkollat, më shumë investime, përballimi më i lehtë i sfidave të pandemisë dhe në përgjithësi ngritja e konkurrueshmërisë së sistemit arsimor. Ndër të tjera, parashikohen investime në ambientet ekzistuese, pajisjen e kabineteve, blerjen e pajisjeve informatike, mjeteve vizuale dhe mësimore, blerjen e pajisjeve shkollore si tavolina, karrige, dërrasa të zeza, pasurimin e burimeve të bibliotekës etj.
Përmes këtij projekti aktualisht janë siguruar pajisje për klasat e lëndëve shkencore në 265 shkolla fillore, në mënyrë që nxënësit të kenë një paraqitje dhe vizualizim të detajuar të asaj që mësojnë, shkruan Zhurnal.

Gjithashtu gjatë kësaj verë kanë përfunduar rreth 30 rikonstruksione të objekteve shkollore dhe dhjetë të tjera janë në proces.

Qeveria së fundmi njoftoi se do të ndërtojë objekt të ri për gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë dhe se ka ndarë buxhet për rinovimin e kulmit të dy shkollave tjera “Vëllezërit Milladinovci” dhe “Krste Petkov Misirkov” në Shkup.

Sivjet do të punësohen 720 asistentë arsimorë

Lidhur me procedurën e punësimit të asistentëve edukativë për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, pritet të punësohen 720 asistentë arsimorë. Duke qenë se ndihma arsimore është një detyrim ligjor, detyrim i shtetit, Ministria e Arsimit, së bashku me Ministrinë e Financave, dhanë miratimet për punësimin e 720 asistentëve arsimorë, në përputhje me nevojat e shprehura të prindërve të nxënësve me aftësi të kufizuara.

Do ketë mungesë librash për disa lëndë

Vitin shkollor nesër do ta fillojnë rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Për nxënësit e klasës së dytë dhe të pestë ka kurrikula të reja mësimore. Shpërndarja e librave për nxënësit e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta për lëndët për të cilat janë përgatitur kurrikulat e reja, është në vazhdim e sipër dhe do të përfundojë para fillimit të vitit shkollor.

Për lëndët që nuk ka ende libra, nxënësit do të mësojnë më me skripta, ndërkohë po vijojnë procedurat për miratimin e teksteve të reja për këto klasa dhe lëndë. Paralelisht, tekstet shkollore po dërgohen në shkolla për të gjitha klasat e tjera – të tretë, të gjashtë, të shtatë, të tetë dhe të nëntë.

Nxënësit do të rrinë me xhupa edhe brenda në klasë!

Dilema me e madhe gjithashtu është kriza energjetike që mund të sjellë duke mos pasur mjaftueshëm shkolla të ngrohta, rrugët për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla do të jenë të errëta, pasi do të kursehet rrymë elektrike, ndërsa ajri më shumë se në vitet e kaluara do të jetë jashtëzakonisht i ndotur.

Shumica e shkollave në qytet ngrohen me gaz, por ka edhe prej atyre që djegin naftë. Një pjesë e shkollave nëpër fshatra vazhdojnë të ngrohen me dru, por ky numër është reduktuar dukshëm viteve të fundit. Aktualisht shumë pak shkolla kanë zgjidhje tjetër alternative dhe prandaj frika është e madhe se si do të përballohen të gjitha këto shpenzime.

Shkollat do të duhet të veprojnë sipas rekomandimeve të fundit që nënkupton që të kyçin ngrohjen një orë më vonë, e ta shkyçin atë një orë më herët me qëllim që të kursejnë rrymë elektrike.

Opsion i vetëm që shihet si zgjidhje mund të jetë që të zgjatet pushimi dimëror, sidomos atëherë kur bën më së shumti ftohtë siç janë muajt janar e shkurt dhe mësimi të përfundojë deri në fund të muajit qershor ose fillim të korrikut./Zhurnal.mk

Të fundit