17/06/2024
17.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

EVN tenton të futet në Sllupçan, reagojnë banorët: Në Umindoll njëherë, pastaj orëmatësit jashtë shtëpive edhe në Sllupçan

Ekipe të shumta të EVN-Maqedoni kanë tentuar që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm të futen në fshatin Sllupçan të Likovës dhe të vënë orëmatësit jashtë shtëpive, përkundër marrëveshjes ditë më parë mes banorëve dhe drejtorisë së EVN-së që, të përmbyllen bisedimet konkrete dhe më pas, të lejohen aktivitetet punuese të kompanisë energjetike.

Pasi janë organizuar, banorët e Sllupçanit kanë arritur t’i përzënë punonjësit dhe të përsëritin kërkesat e tyre drejtuar kompanisë, ndërsa kanë bërë thirrje për respektim të marrëveshjes, në të kundërtën mund të eskalojë situata. “Kjo që si hajdut vjen EVN herët në mëngjes, tregon se ata po përgatitin eskalim të situatës. Kjo është provokim i qartë”, ankohen banorët.

Banorët shprehen se nuk janë kundër orëmatësve jashtë shtëpive, por se kjo mund të ndodhë pasi të njëjtat të vihen edhe në fshatrat e banuar kryesisht me maqedonas siç është Umindolli, Ljubodragi, Novo Sella, Reçica, Rëzhanovci…

“Thjeshtë, ndjehemi të diskriminuar dhe të nënçmuar pasi përveç që na quajnë hajna, duan edhe integritetin dhe dinjitetin të na ulin, duke na paraqitur si njerëz të egër. Vetëm shikoni për rreth Kumanovës dhe i shihni fshatrat maqedonas ku asnjë shtëpi nuk ka orëmatës jashtë shtëpive. Në asnjë fshat maqedonas nuk ndodhë kjo. E këtu në Sllupçan nuk munden, sepse dinjitetin e kemi mbrojt kur është dashtë – para 22 vitesh dhe e mbrojmë edhe tani! E theksojmë se nuk jemi kundër orëmatësve, por kjo do të ndodhë kur të kompletohen fshatrat tjera. Nuk tolerojmë diskriminim etnik, jo pas asaj se çfarë kemi bërë kur ka qenë nevoja! Bujrëm, ejani le të vënë orëmatësit, por pasi të mbarojnë në Umindoll, Lubidrag, Reçicë, Novo Sellë…”, thonë banorët e fshatit Sllupçan.

Në ndërkohë, punonjës të EVN-së me tre kamionë dhe me 5-6 foristrada, po vazhdojnë të qëndrojnë në hyrje të fshatit, ndërsa banorët thonë se po tentohet të shoqërohen me pjesëtarë të policisë./Koha.mk/

Të fundit