Ministri Fatmir Limani ka reaguar në mënyrë të tërthortë, por me tone të qarta politike, ndaj deklaratës së kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, i cili paralajmëroi se në muajt maj ose qershor mund të ndodhë një rikonstruim qeveritar ku do të përfshihej edhe Limani, shkruan gazeta KOHA.
Në një reagim publik, Limani nuk e përmendi drejtpërdrejt Kasamin, por përmes një mesazhi të ndërtuar mbi konceptin e urtësisë, maturisë dhe durimit, dha sinjale të qarta për qëndrimin e tij përballë zhvillimeve politike.
“Maturia, durimi dhe urtësia janë tri virtyte që nuk bëjnë zhurmë, por ndërtojnë rrugë të sigurta”, thekson Limani, duke nënvizuar se vlera e këtyre parimeve nuk matet me reagime të menjëhershme, por me rezultate në kohë.
Ai lë të kuptohet se presionet dhe pritjet për rrëzim politik janë pjesë e zakonshme e skenës politike, por sipas tij, ato nuk janë përcaktuese për fatin e një politikani. “Rrëzimi nuk vjen nga sprovat, por nga humbja e urtësisë”, shprehet ai, duke sugjeruar se sfidat janë të përballueshme për sa kohë ruhet qetësia dhe parimi.
Në reagimin e tij, Limani dërgon edhe një mesazh paralajmërues për ata që, sipas tij, besojnë në zgjidhje përmes forcës apo imponimit politik. “Shkopi gjithmonë ka dy anë”, thekson ai, duke nënvizuar se çdo veprim politik mund të ketë pasoja të kundërta në të ardhmen.
Mesazhi i ministrit përmbyllet me një deklaratë që shihet si përgjigje direkte ndaj zërave për largimin e tij nga detyra: “Durimi im nuk është dobësi, por forcë. Heshtja ime nuk është dorëzim, por urtësi”.
Deklarata e Limanit vjen pasi sot kryeministri Mickoski tha se do të ketë rikonstruim të Qeverisë, ndërsa mbetet të shihet nëse paralajmërimet e Kasamit do të konkretizohen në muajt në vijim. (koha.mk)







