23/10/2024
19.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Figurat nga Estonia në BE që do të merren me Kosovën nxisin pakënaqësinë e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas raportimeve se eurodeputeti popullor estonez, Riho Terras, do të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), ka shprehur pakënaqësi rreth përfshirjes së figurave nga Estonia në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE), veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën.

Terras është estonezi i katërt që do të trajtojë punët e Kosovës brenda BE-së, duke qenë se diplomati estonez, Aivo Orav, shërben në postin e përfaqësuesit të BE-së në Prishtinë. E, drejtor menaxhues në shërbimin e jashtëm të BE-së (EEAS) pritet të jetë diplomati tjetër nga Estonia, Matti Masikas, të cilin e ka përmendur presidenti serb.

Për më tepër, ish-kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, gjithashtu, në cilësinë e shefes së diplomacisë së BE-së, do të ketë punë në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Presidenti i Serbisë ka përmendur edhe në të kaluarën Kallasin, duke e cilësuar “shumë më të ashpër” se sa parardhësi i saj në postin e Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme.

“Ju e dini se Kallasi është shefe e Punëve të Jashtme dhe Sigurisë, kurse njeriu kryesor në EEAS është Masikas. Pra, tashmë janë dy nga Estonia. E dini kush është raportues në PE për Kosovën? Një estonez. Kjo është shumë e çuditshme. Për Serbinë kanë caktuar një kroat”, ka deklaruar presidenti serb të martën në një prononcim për shtyp.

Ndryshe, zemërimi i Serbisë me shumë gjasë buron jo vetëm nga marrëdhëniet shumë të mira bilaterale që Kosova ka pasur historikisht me Estoninë, por edhe nga qëndrimet tejet të vendosura të këtij shteti karshi agresionit rus dhe influencës negative që Rusia ushtron nëpër rajone të ndryshme të Evropës, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Të fundit