10/09/2024
16.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Filloi takimi i liderëve të aleatëve të NATO-s të Ballkanit Perëndimor

Në Shkup filloi takimi joformal i liderëve të vendeve aleate të NATO-s nga Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jenë çështjet e sigurisë dhe Ballkani Perëndimor,  agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës dhe aktivitetet në rajon.

Kryeministri Dimitar Kovacevski dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në cilësinë e nikoqirëve mirëpritën presidentët e Shqipërisë dhe Kroacisë, Edi Rama dhe Zoran Milanoviç, si dhe Milojko Spajiq, kryetar i Qeverisë së Malit të Zi, përcjell INA.

Në një deklaratë për media para fillimit të takimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se fakti që vendi ynë është nikoqir i këtij takimi konfirmon rolin e tij si faktor sigurie në rajon, por edhe si vend anëtar i NATO-s që është fokusuar plotësisht dhe me përkushtim në përmbushjen e detyrimeve  si pjesë e Aleancës. –

“Në takimin e sotëm do të diskutojmë çështjet e sigurisë rajonale, por sigurisht që do të diskutojmë edhe temat  në lidhje me luftën në Ukrainë, konfliktin që po zhvillohet në Rripin e Gazës, si dhe të gjitha çështjet e tjera që lidhen me ndërtimin paqes afatgjate, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë, por edhe në Evropë dhe në botë”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vlerësoi përparimin e bërë në vend në planin e integrimeve euroatlantike dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Maqedonia e Veriut është një nga vendet aleate  shumë të vlerësuara dhe kjo shihet nga fakti se sot këtu po mbahet samiti i liderëve të NATO-s. Ne do të diskutojmë sigurinë me liderët, por do të adresojmë edhe sfidat me të cilat përballemi përtej kufijve të këtij rajoni”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu përshëndeti marrëveshjen ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, e cila, siç tha, duhet të çojë në lirimin e pengjeve dhe do të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare.

Në takim, përveç kryeministrit Kovaçevski dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të marrin pjesë edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama dhe të Malit të Zi, Milojko Spajiq. Për arsye shëndetësore, siç informojnë nga Qeveria, nuk do të mund të marrë pjesë kryeministri i Republikës së Sllovenisë Robert Golob.

Me të mbërritur, kryeministri malazez Spajiq shprehu kënaqësinë që udhëtimi i tij i parë është në një samit të NATO-s në Maqedoni, i cili, siç theksoi, është në zemër të Ballkanit dhe tregon përkushtimet e Aleancës në Ballkan.

“Është nder për ne që jemi pjesë e kësaj Aleance dhe do të vazhdojmë të mbështesim dhe ndërtojmë një partneritet të besueshëm dhe aktiv të NATO-s”, tha Spajiq.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu kënaqësinë që të gjithë nga rajoni janë sot bashkë, në një kohë të trazuar për botën, me kriza që mund të prekin edhe rajonin tonë.  “Duhet të fokusohemi në mbrojtjen e asaj që kemi tashmë, e cila mund të mos jetë paqja më cilësore, por është paqja. Paqen, të cilën duhet ta forcojmë dhe të gjithë së bashku duhet të fokusohemi në arritjen e paqes së plotë dhe progresit”, tha kryeministri Rama. Me këtë takim në Shkup, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e mbyll vizitën  e tij disaditore në Ballkanin Perëndimor. (INA)

Të fundit