03/05/2024
10.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Fushata zgjedhore nuk arrin në Tanushë, banorët nuk e dinë se kush do t’i përfaqësojë në kuvend

Edhe po zhvillohen dy fushata parazgjedhore paralelisht, programet e kandidatëve për president dhe të partive politike nuk kanë arritur tek banorët e një pjesë të fshatrave malorë. Banorët e fshatit Tanushë thonë se as nuk e dinë se çfarë oferta kanë dhe as kush është kandidat për t’i përfaqësuar ata në Kuvend. Ata ankohen se me problemet e njëjta ballafaqohen me dekada, por askush nuk interesohet për hallet e tyre.

“Ka filluar tashmë fushata, asnjë parti as askush nuk ka ardhur me na pa ne se si jetojmë, të na premtojmë diçka, të na tregojë se unë do të jem përfaqësuesi juaj, ne nuk e dimë kush është përfaqësuesi ynë, si fshatar…Sipas informatave të mia, mbi 1000 banorë janë me vendbanim në Tanushë, ata janë të shpërndarë, por kanë adresat e Tanushës… ditën e zgjedhjeve vijnë votojnë këtu…Mirëpo gjithmonë kanë votuar bosh, e kemi dhënë vetëm votën dhe kurrë më zërin nuk ja kemi dëgjuar asnjë politikani”, tha Xhemail Jakupi, Përfaqësues i fshatit Tanushë.

“Askush s’ka ardhur këtu të na e qajë dertin, në mes të Shkupit atje ku mbajnë partitë mbledhje atje ka, po nuk më intereson se kush e bën, por në fshat askush nuk ka ardhur, as që është interesuar dikush me ardh me pa çfarë halli kemi…As që jam i varur prej asnjë politike, prej asnjë partie as që varem”, u shpreh Emërlla Veli, banor i fshatit Tanushë.

“Pa rrymë, shtyllat të gjitha janë thyer askush nuk interesohet, telat shihe si kanë rënë në tokë, një ditë mund të na djegin, s’vjen askush. Kur vjen puna te votat të gjithë vrapojnë, hajde me votu, si të votojmë, si të ua japim kur ne nuk kemi aspak kushte këtu.. Vetëm zgjedhjet kur të afrohen, atë asfalt që e kanë shtruar, copa-copa, kur ka ardh koha e zgjedhjeve, kanë ardh e kanë bërë sa për sy e faqe…Sot nuk vjen kërkush me na i mbajt dertet e hallet”, tha Sefer Xhaferi, banorë i fshatit Tanushë.

Për shkak të kushteve të vështira dhe lokacionit në të cilin ndodhet, Tanusha pothuajse është boshatisur nga njerëzit. Sipas informacioneve të banorëve, vetëm rreth 5 shtëpi janë të banueshme gjatë gjithë vitit, të tjerët shkojnë në Tanushë vetëm gjatë stinës së verës. /Alsat.mk

Të fundit