24/05/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjermania po angazhohet seriozisht në Ballkanin Perëndimor. A do ta ndjekë BE-ja shembullin e saj?

Të enjten, kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Berlin për të nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme, për njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, si pjesë e një “Procesi të Berlinit” të rigjallëruar.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshje përfaqëson një hap kuptimplotë në rindërtimin e vrullit për bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik rajonal. Po ashtu ai është një sinjal se vendet e Bashkimit Evropian po e përqendrojnë edhe një herë vëmendjen e tyre në Ballkan, nën sfondin e pushtimit shkatërrues të Ukrainës nga Rusia.

Kjo vëmendje e ripërtërirë po jep frytet e veta. Dhe ajo nuk mund të vinte në një moment më të rëndësishëm sesa ky aktual. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka premtuar se do ta rikthejë në rrugën e duhur procesin e zgjerimit të BE-së, duke u zotuar se do ta bëjë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor një prioritet të politikës së jashtme të qeverisë së tij.

“Stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tuaj nuk mund të shkëputet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës në tërësi”- tha Scholz gjatë samitit. Procesi i zgjerimi mori një goditje të fortë në vitin 2019, kur Franca bllokoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa presidenti Emmanuel Macron kërkoi reformimin e procesit të zgjerimit përpara se të shqyrtohet mundësia e hyrjes së anëtarëve të rinj.

Kjo ndodhi menjëherë pasi Maqedonia e Veriut e zgjidhi mosmarrëveshjen e saj të gjatë me Greqinë mbi emrin, dhe kur priste që këto kompromise ta zhbllokonin rrugëtimin e saj drejt BE-së. Sapo u hartuan dhe miratuan procedurat e reja të BE-së dhe Macron hoqi veton, ishte Bullgaria ajo që bllokoi nisjen e negociatave me Maqedonisë së Veriut për arsye që lidhen me gjuhën dhe historinë.

Kjo mosmarrëveshje u sheshua vetëm në maj të këtij viti, kur Franca ndërmjetësoi më në fund arritjen e një kompromisi. Në këtë kuadër, samiti i së enjtes në Berlin ishte një përpjekje serioze për të çuar më tej procesin e vonuar të zgjerimit. Axhenda e zgjerimit ka nevojë për të gjithë ndihmën që mund të marrë.

Ndonëse është shkruar shumë mbi mënyrën sesi po sillet aktualisht Brukseli, duke i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit nën hijen e agresionit të Rusisë, realiteti është shumë më pak shpresëdhënës. Shumë vende anëtare të BE-së janë angazhuar prej kohësh për ta ngadalësuar procesin.

Dhe në bisedat private që kemi pasur këtë vit me udhëheqësit politikë dhe të shoqërisë civile në gjithë Evropën, kemi dëgjuar shqetësimet e tyre ta hapura sesa pak kanë ndryshuar realisht gjërat. Në fakt, ekziston ndjenja se edhe në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë, BE-ja po bën premtime të cilat nuk ka aftësi që t’i mbajë.

Premtimi i pa mbajtur ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE u dha

për herë të parë në Samitin e Selanikut në vitin 2003. Ndërsa është e vërtetë që reformat e nevojshme demokratike, përfshirë lirinë e medias dhe sundimin e ligjit, kanë ngecur në të gjithë rajonin, është gjithashtu e vërtetë që vendet anëtare të BE-së kanë treguar një hezitim real ndaj zgjerimit, dhe ketë e ndjejnë qytetarët në Ballkan.

“Ata bëjnë sikur duan të na lënë të anëtarësohemi, dhe ne bëjmë sikur po kryejmë reforma” është një refren i shpeshtë që përmendet nga aktivistët e dëshpëruar në të gjithë rajonin. Shumë avokatë të zgjerimit në të gjithë BE-në shqetësohen se një gabim i ngjashëm u bë në fillim të këtij viti me ngritjen e shpresave jorealiste në Kiev dhe Kishinau.

Në këtë kontekst, angazhimi i ripërtërirë gjerman në Ballkanin Perëndimor është për t’u duartrokitur dhe përshëndetur. Duke pasur parasysh se anëtarësimi është ende shumë vite larg edhe në skenarët më optimistë, Scholz i ka përqendruar energjitë e tij në ringjalljen e përpjekjeve për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal (CRM) për zbatimin e “4 lirive” – lirinë e lëvizjes për mallra, kapitalin, shërbimet dhe njerëzit, në të gjitha ekonomitë e rajonit, të bazuara fort në standardet e BE-së.

Mendohet se në këtë mënyrë nisi edhe një rrugë e gjatë drejt përgatitjes së rajonit për anëtarësim të plotë. Po ashtu mendohet se ky treg do të ofrojë përfitime të prekshme për qytetarët e rajonit, duke krijuar një destinacion më tërheqës për kapitalin perëndimor.

Procesi i Berlinit u nis nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, në një kohë kur shpresat për zgjerim fillimisht kishin nisur të zbeheshin. Deri dje ai ishte kritikuar se kishte shumë fjalë por pak vepra konkrete. Dhe kur tensionet dhe mosmarrëveshjet ndaluan përparimin në lidhje me CRM në samitin e Sofjes (me Kosovën që refuzoi të nënshkruajë

një marrëveshje që e lejonte të mos mos-njihte pavarësinë e saj), 3 nga 6 vendet e rajonit – Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – vazhduan të realizojnë 4 liritë midis mes tyre.

Nisma Ballkani i Hapur solli përparim konkret me nënshkrimin e disa marrëveshjeve. Por zbatimi i masave që do t’u jepnin mundësi qytetarëve për të punuar në cilindo nga tre vendet pjesëmarrëse, është penguar aktualisht në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Gjithsesi janë hapur “korsi të gjelbra” doganore të përshpejtuara për transportin e mallrave mes të treve dhe është zgjeruar turizmi dhe shkëmbimi kulturor. Bashkëpunimi midis Serbisë dhe Shqipërisë ka qenë më i theksuar, por edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë ngrohur dukshëm.

Ndërkohë, marrëveshjet e nënshkruara këtë javë, janë një hap i vonuar dhe i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ajo çfarë do t’i pasojë ato do të jetë shumë më e rëndësishme. Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë, ndërsa takimi i 2024-ës në Vjenë.

Dhe progresi nuk do të matet vetëm në lidhje me atë se sa mirë po integrohet rajoni, por edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura, veçanërisht midis Serbisë dhe Kosovës.

“Është koha të kapërcehen konfliktet rajonale që kanë vazhduar për një kohë shumë të gjatë, konflikte që ju ndajnë dhe që i mbajnë prapa vendet tuaja në rrugëtimin evropian”- deklaroi Scholz të enjten.

Ngurrimi i Serbisë për t’u atashuar plotësisht me politikën e jashtme të përbashkët të BE-së për Rusinë, përbën një tjetër mollë sherri. Edhe pse Evropa po zgjidh qesen e saj për të ndihmuar rajonin në një kohë të vështirë, pritet të shtohet presioni politik mbi Beogradin.

Shenja më shpresëdhënëse, është se Evropa duket se e ka përqafuar këtë angazhim të ri politik.

Procesi i Berlinit do të ketë sukses vetëm nëse përdoret si një mjet për zgjidhjen e problemeve në rajon. Ndryshimet duhet të shihen që po ndodhin, dhe jo thjesht të ndjehen pasi ato kanë ndodhur. Samitet zyrtare janë një element i rëndësishëm i suksesit, por vetëm ato nuk janë një formulë magjike. Mbetet shumë për të bërë./albeu.com

Nga Damir Marusic, Maja Piscevic & Jörn Fleck “Atlantic Council”

Nga Alket Goce: Albeu.com

Të fundit