28/05/2024
20.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gjermania vazhdon të përballet me mungesën e punëtorëve!

Gjermania është destinacioni i preferuar për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor për të vazhduar jetën e tyre në këtë shtet ata sakrifikojnë dhe bëjnë çmos që të arrijnë në këtë vend. Kjo mbase nuk është e rastësishme, por e mirë menduar se kemi të bëjmë me një shtet evropian që ka një stabilitet ekonomik dhe krijon mundësi të mira avancimi dhe progresi. Meqë vetëm viteve të fundit numri i të shkuarve në Gjermane nëpërmjet vizave të punës ka qenë tejmase i lartë, kjo ka ndikuar që edhe numri i të punësuarve në Gjermani të shënojë rritjen më të lartë që pas bashkimit. Megjithatë, edhe përkundër rritjes së numrit të të punësuarve sërish e vazhdimisht shënohet edhe rritje e nevojës për punëtorë që janë të profilizuar apo kanë ndonjë zanat, shkruan Zhurnal.

Gjermania numër rekord të të punësuarve-

Në Gjermani vitin e kaluar kishte 45.6 milionë të punësuar, njoftoi Enti Federal i Statistikave. Kjo është një rritje prej 1.3 për qind, duke arritur një numër rekord punonjësish që nga ribashkimi gjerman në 1990. Pandemia e vitit 2020 ka lënë pasoja të dukshme edhe në Gjermani në sektorin ekonomik dhe në reduktimin e numrit të të punësuarve, që theu vazhdimësinë e rritjes 14-vjeçare ekonomike, në një kohë kur punësimit është rritur çdo vit. Vetëm gjatë vitit 2020 kanë humbur punën rreth 362.000 punonjës.

Një nga arsyet e rritjes së numrit të të punësuarve vitin që lamë pas ishte imigrimi i fuqisë punëtore të huaj. Së bashku me këtë vjen edhe një aktivitet më i madh i punës së popullatës vendase, thonë statistikat. Për momentin, këto dy gjëra zbusin treguesit e këqij demografikë, të cilët në afat të mesëm mund të rezultojnë në një rënie drastike të numrit të banorëve në moshë pune. Kur flitet për rritjen e numrit të klasës punëtore në Gjermani kemi të bëjmë me numrin më të madh të të rinjve e të moshës mesatare që kanë migruar në Gjermani për një jetë më të mirë, si dhe për krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe social.

Instituti për Ekonominë Botërore nga Kili i Gjermanisë llogarit se rekordi i këtij viti nuk do të tejkalohet së shpejti. Ndaj mund të pritet që numri i të punësuarve të bie në vitin 2024. “Kërkesa për fuqi punëtore do të pengohet kryesisht nga pasojat ekonomike të krizës energjetike, por një rritje e fortë e pagës minimale prej dymbëdhjetë euro për një orë pune mund të shkaktojë edhe efekte negative për punësimin”, thuhet në këtë Institut, transmeton DW.

Edhe gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se nuk duhet të jemi shumë të lumtur për punësimin e lartë, sepse mund të jetë i paqëndrueshëm në një kohë më të gjatë. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 pritet një recesion.

“Në periudhën afatmesme Gjermania përballet me një problem edhe më të madh: në vitet në vijim tregu i punës do të humbasë miliona njerëz pasi brezi i lindur në vitet e lindjeve të larta do të dalë në pension”, shkruan gazeta. Thuhet se politikanët duhet të rrisin moshën e daljes në pension dhe se lehtësimi i ardhjes së fuqisë punëtore nga vendet e huaja është një hap në drejtimin e duhur.

Gjermania 250.000 vende të lira pune për zanatçinjtë–

Nga ana tjetër, ekonomia gjermane vuan nga mungesa e fuqisë punëtore. Kritikat e krerëve të ekonomisë gjermane lidhen me procedurat administrative të komplikuara dhe qëndrimin e autoriteteve të vizave.

Për shkak të mungesës së ndjeshme të fuqisë punëtore, krerë kryesorë të ekonomisë gjermane kërkojnë lehtësimin e rregullave të migrimit. “Ne në Gjermani kemi vështirësi të mëdha zgjerimi të sipërmarrjeve, sepse thjesht nga mungon fuqia punëtore”, është shprehur presidenti i DIHK, Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, Peter Adrian për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Qendrore të Zanateve Gjermane, Holger Schwannecke ka theksuar për dpa, se aktualisht në degën e zanatçinjve gjermanë ka rreth 250.000 vende të pazëna pune. “Ne kemi nevoje me urgjencë për fuqi të kualifikuar. Dhe këtë duhet ta bëjmë përmes kualifikimit të mëtejshëm në vend dhe rekrutimit të të gjitha potencialeve të brendshme, por edhe përmes prurjes së fuqisë punëtore nga jashtë.” Në këtë drejtim bëhet shumë pak.

Për lehtësimin e procedurave për marrjen e vizave të punës në ambasadat gjermane në vendet përkatëse si nevojë e kanë parë edhe të gjithë të interesuarit për të migruar në Gjermani. Sipas tyre, ata kanë ndarë mendjen për të shkuar atje për punë por procedurat administrative janë tejet komplekse dhe shkaktojnë stërzgjatje të pa kuptimta, në disa raste edhe me vite të tëra pritet për të marrë një termin në ambasadën gjermane për një vizë pune.

Rritja e pagave dhe pensioneve-

Megjithatë, euforia e vitit që lamë pas në punësim dhe gjithnjë e më shumë taksapagues kanë një efekt pozitiv edhe në sigurimin e pensioneve. Fondi shtetëror i pensioneve ka njoftuar se e mbyll vitin me një suficit prej 2.1 miliardë euro. “Një vit më parë u parashikua një deficit prej 6.5 miliardë eurosh”, tha Gundula Roßbach, presidente e Fondit Gjerman të Pensioneve.

Përveç që më shumë njerëz të punësuar mbushin Fondin e pensioneve, edhe numri i atyre që e përdorin këtë fond nuk është rritur aq shumë sa pritej. Ndaj, siç shpjegoi Roßbach, pandemia ka goditur më së shumti pensionistët.

Por, megjithatë Gjermania edhe në kulmin e krizës ekonomike ka bërë rritjen e pagës minimale, ku tashmë secili punëtorë çfarë do pune që bënë në Gjermani minimumi për orë paguhet 12 euro. Dhe, kjo flet për një progres ekonomik që ka rezultuar edhe në praktikë që në mënyrë graduale të rriten të gjithë pagat që tu mundësohet qytetarëve të përballen me shpenzimet e rritura.

Ndryshe, edhe përkundër gjitha ndodhive të mundshme në Gjermani në aspakëtin ekonomik dhe atë social sërish Gjermania është destincaioni më i preferuar për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor, duke garantuar një të ardhme të sigurte dhe një mirëqenie sociale për të cilën edhe kanë nevojë të gjithë. /Zhurnal.mk

Të fundit