09/09/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Grubi: Fronti Evropian do garojë në zgjedhje me lista të përbashkëta

Fronti Evropian do të shkojë me lista të përbashkëta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, thotë zv/kryeministri Artan Grubi, duke mos potencuar se kush janë partitë që do të marrin pjesë. Pavarësisht tentimit tonë, Grubi nuk dha më shumë informacion se cilat do të jenë partitë që do i bashkëngjiten frontit evropian. I pyetur nëse koalicioni aktual është stabil, edhe përkundër faktit që Aleanca për Shqiptarët ka ngritur dyshime për vazhdimin në ekzekutiv me faktin që LSDM nuk e mbështeti ligjin për amnisti, Grubi thotë se Qeveria është shumë stabile dhe se nuk beson që të ketë lëvizje deri në formimin e qeverisë teknike.

 Artan Grubi – Zv/Kryeministër i parë
“Është absolutisht stabil. Kësaj qeverie me mandat politik i ka mbetur edhe 1 muaj e gjysmë deri tek qeveria teknike prandaj nuk besoj që kushdo qoftë prej nesh do të ndërmerr avantura të cilat do i kushtojnë shumë në procesin zgjedhor që është para nesh në pranverën e vitit të ardhshëm. Kështu që siç kam thënë marrëdhëniet janë të shkëlqyera edhe me ASH-në edhe me të gjithë partnerët e qeverisë. Jemi të fokusuar në agjendën tonë evropiane dhe reformuese andaj dhe besoj se të gjithë do ta japin kontributin e vetë”.

Ndërkaq, i pyetur nga Televizioni Koha, kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari thotë se pjesëmarrja e tyre në Qeveri ka ardhur si mbështetje për ndryshimet kushtetuese por që për vazhdimin në këtë qeveri, do ta diskutojnë në kuadër të partisë duke aluduar në atë që ende nuk është marr vendim nëse do të vazhdohet ose jo me këtë qeveri, pas mos votimit të Ligjit për amnisti, të përpiluar nga ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, nga Aleanca për Shqiptarët.

Arben Taravari – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët
“Aleanca për shqiptarët ka bërë sakrificë duke hyrë në qeveri për të ndihmuar ndryshimet kushtetues dhe nuk lejon asnjëherë që të jetë shkak që ato mos të ndodhin apo të krijon kaos politik në shtet në këtë periudhë të rëndësishme dhe delikate për rajonin dhe shtetin e posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut. Por edhe nëse nuk ka ndryshime kushtetuese, në kuadër të partisë do të i analizojmë të gjitha rrethanat për të analizuar si të vazhdojmë tutje”, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët.

Megjithatë, se si do të rreshtohen partitë shqiptare që janë  pjesë e qeverisë mbetet ende e paqartë./TV KOHA/

Të fundit